Jeta e Shën Jozafatit
Pas pushtimit të Mongolianëve, kombi rutenian, i cili ishte skizmatik dhe po kalonte një krizë të madhe shpirtërore dhe organizative, u bashkua me Poloninë dhe një pjesë e saj u kthye në gjirin e Kishës Katolike, duke u ndarë në Uniatë dhe skizmatikë.
Shën Jozafati lindi nga prindër fisnikë katolikë në Vladimir në Volhynia. Kur ishte fëmijë, teksa po dëgjonte nënën e tij duke i treguar për Mundimet e Krishtit, një shigjetë e lëshuar nga imazhi i Jezusit e plagosi në zemër. I djegur me dashurinë e Zotit, ai filloi t’i përkushtohej me aq zell lutjes dhe veprave të tjera të devotshmërisë, saqë ishte admirimi dhe modeli i shokëve të tij më të vjetër.
Në moshën njëzet vjeçare u bë murg u Urdhrit të Shën Vasilit dhe bëri përparim të mrekullueshëm në përsosmërinë ungjillore. Ai ecte zbathur edhe në dimrin e ashpër të atij vendi; ai kurrë nuk hante mish, pinte verë vetëm kur ishte i detyruar nga bindja dhe mbajti një këmishë flokësh të ashpër deri në vdekje. Lulen e dëlirësisë së tij, të cilën ia kishte betuar në rininë e hershme Virgjëreshës Nënës së Zotit, e ruajti pa njolla.
Ai shpejt u bë aq i njohur për virtyt dhe dituri, saqë, edhe pse akoma në rininë e tij, u bë epror i manastirit të Bytenit; menjëherë më pas u bë arkimandrit i Vilnës; dhe së fundi, kundër dëshirës së tij, por për gëzimin e madh të katolikëve, ai u zgjodh Arqipeshkëv i Polok-ut.
Në këtë dinjitet ai nuk ndryshoi asgjë nga mënyra e mëparshme e jetesës; dhe nuk kishte asgjë aq shumë në zemër sesa shërbimin hyjnor dhe shpëtimin e deleve që i ishin besuar. Ai mbrojti energjikisht besimin dhe unitetin katolik dhe punoi me maksimumin e fuqisë së tij për të rikthyer skizmatikët dhe heretikët në bashkim me Selinë e Shën Pjetrit. Ai nuk pushoi së mbrojturi tërësinë e pushtetit të Papës, si duke predikuar, ashtu edhe me shkrime plot devotshmëri dhe mësim, kundër shpifjeve dhe gabimeve më të paturpshme të të ligjve.
Ai shfajësoi të drejtat ipeshkvore dhe rivendosi zotërimet kishtare që ishin konfiskuar nga laikët. I pabesueshëm ishte numri i heretikëve që ai ktheu në gjirin e Kishës Nënë; dhe fjalët e Papëve dëshmojnë se sa shumë ai promovoi bashkimin e kishave greke dhe latine.
Të ardhurat e tij u shpenzuan tërësisht për të rikthyer bukurinë e shtëpisë së Perëndisë, në ndërtimin e banesave për virgjëreshat e shenjtëruara dhe në vepra të tjera të devotshme. Aq bujar ishte ai për të varfrit, saqë, në një rast kur nuk kishte asgjë për të plotësuar nevojat e një vejushe të caktuar, ai urdhëroi që Omoforioni i tij ose palliumi episkopal të lihej peng për paratë që i nevojiteshin vejushës.
Përparimi i madh i bërë nga besimi katolik ngjalli aq shumë urrejtjen e njerëzve të ligj kundër ushtarit të Krishtit, saqë ata vendosën ta vrisnin. Ai e dinte se çfarë e priste; dhe e paratha kur u predikonte njerëzve.
Ndërsa po bënte vizitën e tij baritore në Vitebsk, vrasësit hynë në shtëpinë e tij, duke sulmuar dhe plagosur të gjithë ata që gjetën. Jozafati shkoi me butësi për t’i takuar dhe i trajtoi me mirësi, duke thënë: “Fëmijët e mi, pse i goditni shërbëtorët e mi? Nëse keni ndonjë ankesë kundër meje, ja ku jam.” Më pas ata u vërsulën mbi të, e mbytën, e therën me shtizat e tyre dhe më pas e vranë me sëpatë dhe e hodhën trupin e tij në lumë. Kjo ndodhi më 12 nëntor 1623, në vitin e dyzet e tretë të moshës së tij.
Trupi i tij i rrethuar me një dritë të mrekullueshme u shpëtua nga ujërat. Gjaku i dëshmorit fitoi një bekim para së gjithash për vrasësit e tij; sepse, duke qenë të dënuar me vdekje, ata pothuajse të gjithë hoqën dorë nga skizmi i tyre dhe u penduan për krimin e tyre.
Meqenëse vdekja e këtij ipeshkvi të madh u pasua me shumë mrekulli, Papa Urbani VIII i dha atij nderimet e lumturimit. Më 3 korrik 1867, kur po kremtohej njëqindvjetori i Princave të Apostujve, Piu IX në bazilikën e Vatikanit, në prani të Kolegjit të Kardinalëve dhe të rreth pesëqind Patriarkëve, Metropolitanëve dhe Ipeshkvinjëve të çdo Riti, i mbledhur nga të gjitha anët e botës, shpalli solemnisht në mesin e shenjtërve këtë mbrojtës të madh të unitetit të Kishës, i cili ishte i pari oriental që u nderua në këtë mënyrë.
T’i lutemi Shën Jozafatit për ndërmjetësimin e tij në bashkimin e skizmatikëve në gjirin e Kishës Katolike; një ngjarje që do kishte ndryshuar gjithë rrjedhën e historisë, nëse do ishte kryer në shekujt e mëparshëm. Të imagjinojmë thjesht fuqinë e Krishtërimit kundër rrezikut musliman nga turqit dhe pasojat e mrekullueshme që do kishin rezultuar. Sigurisht nuk mund të injorojmë edhe rezultatet që do kishte pasur në kombin tonë Shqiptar, duke marrë parasysh luftën e tij për mbijetesë kundër skizmatikëve rreth saj.