Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Kushtimi i Bazilikave të Shën Pjetrit & Shën Palit

“Për shkak se bota nën udhëheqjen Tënde është ngritur triumfuese deri në qiej, Kostandin pushtuesi e ndërtoi këtë tempull për nder Tënd.” 

 

Ky mbishkrim qëndronte me shkronja ari mbi harkun e triumfit në bazilikën e lashtë të Vatikanit. Asnjëherë mendja romake nuk ka krijuar një shprehje më madhështore me kaq pak fjalë; kurrë nuk u shfaq madhështia e Simonit në një avantazh të tillë në të shtatë kodrat. 

 

Në vitin 1506, harku i madh që kishte dëshmuar dymbëdhjetë shekuj pelegrinësh të përulur, ra nga pleqëria dhe mbishkrimi i bukur u shkatërrua. Por kupola e lartë e Mikelanxhelos i tregon qytetit dhe botës vendin ku fle peshkatari galileas, pasardhësi i Cezarëve, Vikari i Krishtit, sunduesi i fateve të Romës.

 

Në ditën e oktavës së pagëzimit të tij, erdhi perandori Kostandini i Madh; dhe duke hequr diademën e tij, u gjunjëzua përtokë me shumë lot. Pastaj, duke marrë një shatë dhe një kazmë, ai hapi tokën, nga ku dymbëdhjetë shporta u mbushën për nder të dymbëdhjetë Apostujve; dhe në vendin e shënuar kështu, ai ndërtoi bazilikën e Princit të Apostujve. Papa Shën Silvestri e kushtoi bazilikën dhe shenjtëroi altarin prej guri duke e bekuar me krizëm. Ai urdhëroi që andej e tutje çdo altar të ndërtohej prej guri. 

 

Lavdia e dytë e qytetit të përjetshëm është varri i Shën Palit në rrugën Ostia. Ndryshe nga ai i Shën Pjetrit, i cili shtrihet thellë në kriptën e Vatikanit, ky varr është ngritur në nivel me tokën me një muraturë masive, mbi të cilën qëndron sarkofagu i madh. Kjo bazilikë fillimisht u kushtua gjithashtu nga Papa Shën Silvestri dhe u ndërtua nga Konstandini.

 

Kështu Roma e krishterë mbrohet në veri dhe në jug nga këto dy fortesa. Le të bashkohemi në ndjenjat e etërve tanë, kur ata thonin për këtë qytet të privilegjuar: “Pjetër rojtari, e vendos banesën e tij të shenjtë në hyrje; kush mund ta mohojë që ky qytet është ngjasim i parajsës? Në skajin tjetër, Pali nga tempulli i tij ruan muret; Roma shtrihet midis të dyve: këtu banon Perëndia.”

 

Aty janë portat e atdheut tonë të vërtetë, dy dritat e shpirtit të pamasë. Aty zëri i Palit dëgjohet si bubullima; aty Pjetri e mban ose e hedh rrufenë. I para hap zemrat e njerëzve, i dyti hap parajsën. Pjetri është guri i themelit, Pali arkitekti i tempullit ku qëndron altari me anë të të cilit jemi pajtuar me Zotin. Të dy së bashku formojnë një burim të vetëm, i cili derdh ujërat e tij shëruese dhe freskuese.