Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Kushtimi i Zojës së Bekume

Tempulli tejet i pastër i Shpëtimtarit, delja e paçmuar, Virgjëresha e shenjtë, arka e shenjtë që përmban thesarin e madhështisë hyjnore, dërgohet sot në shtëpinë e Zotit; atje ajo sjell hirin e Shpirtit hyjnor, ndërsa engjëjt e Perëndisë këndojnë lavdërimet e saj, duke thënë: Me të vërtetë ajo është tabernakulli qiellor.

 

Ndërsa meditoj hirin e mistereve të pashprehura dhe të shenjta të Zotit, të zbuluara me bollëk në këtë Virgjëreshë, jam plot gëzim dhe nuk mund ta kuptoj mënyrën e mrekullueshme dhe të pashprehshme në të cilën kjo Virgjëreshë e zgjedhur dhe e papërlyer ia kalon të gjitha krijesave të dukshme dhe të padukshme. Duke dashur pastaj ta nderoj me zë të gëzuar, mendimet dhe fjalët e mia më dështojnë; megjithatë unë guxoj ta lavdëroj, sepse ajo është tabernakulli qiellor.

 

Krijuesi, Autori dhe Zoti i të gjitha gjërave, nga mëshira dhe dhembshuria e Tij e pakuptueshme, u përkul drejt nesh dhe duke parë të rrëzuar krijesën që kishte bërë me duart e Tij, me keqardhje denjoi ta riparonte atë me një vepër më sublime sesa krijimi; sepse Ai, aq i mirë dhe i mëshirshëm, e zbrazi veten; dhe në misterin me të cilin mori lirisht natyrën tonë, Ai e bashkoi  Virgjëreshën Mari të papërlyer me Veten: dhe ajo është tabernakulli qiellor.

 

Fjala e Perëndisë, Shëlbuesi ynë, i gatshëm të mishërohej për hir tonë, e solli Virgjëreshën në këtë botë dhe e nderoi ardhjen e kësaj të panjollë me dhurata të reja dhe të mrekullueshme; sepse ia dha si fryt e shpërblim lutjeje, dhe ia premtoi Joakimit dhe Anës. Prindërit e saj i besuan fjalës dhe me dashuri premtuan t’ia ofrojnë Zotit, sepse ajo është tabernakulli qiellor.

 

Virgjëresha bukuroshe, e lindur sipas dekretit hyjnor, u dërgua në tempull nga prindërit e saj të shenjtë, për të përmbushur premtimin e tyre dhe për t’ia dhënë Krijuesit të saj. Ana në gëzimin e saj i thirri kështu priftit: Merre këtë fëmijë, çoje në pjesët më të izoluara të tempullit, kujdesu për të: sepse ajo m’u dha si fryt i lutjeve të mia dhe nga gëzimi i besimit tim I premtova se do t’ia kushtoja Zotit, Krijuesit të saj: ajo është tabernakulli qiellor.