Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Papa Shën Klementit

Klementi ishte romak, i biri i Faustinit që banonte në rajonin e Monte Cœlios. Ai ishte një dishepull i Shën Pjetrit; dhe përmendet nga Shën Pali në Letrën e tij drejtuar Filipianëve, me këto fjalë: Po të lutem edhe ty, shoku im i sinqertë, ndihmoju sepse ato luftuan bashkë me mua për Ungjill, së bashku me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi, emrat e të cilëve janë në “librin e jetës”. Ai e ndau Romën në shtatë rajone, duke caktuar një noter për secilin, i cili duhej të konstatonte dhe të regjistronte me kujdesin më të madh aktet dhe vuajtjet e martirëve. Ai shkroi shumë vepra të dobishme, të cilat i dhanë nder emrit të krishterë.

 

Shën Klementi është një ndër shembujt më të mirë për supremacinë e Papës së Romës. Shumica e letrave të tij kanë humbur. Një nga ato që kanë mbijetuar, Letra dërguar Korintasve na tregon në veprim të plotë pushtetin monarkik të ipeshkvit të Romës në atë epokë primitive. Kisha e Korintit u trazua nga grindjet e brendshme, të shkaktuara nga xhelozia ndaj disa barinjve. Këto përçarje, të cilat ishin shfaqur që në kohën e Shën Palit, kishin shkatërruar çdo paqe dhe po shkaktonin skandal edhe te vetë paganët. Korintasit më në fund ndjenë nevojën për t’i dhënë fund një çrregullimi që ishte pengues për përhapjen e besimit të Krishterë; dhe për këtë qëllim ishte e nevojshme të kërkohej ndihmë nga jashtë. Apostujt ishin larguar të gjithë nga kjo jetë, përveç Shën Gjonit, i cili ishte ende drita e Kishës. Nuk ishte largësi e madhe nga Korinti deri në Efes, ku banonte Apostulli; megjithatë, Kisha e Korintit i kërkoi ndihmë Romës e jo Efesit. Klementi shqyrtoi çështjen e besuar gjykimit të tij nga ajo Kishë dhe dërgoi në Korint pesë komisarë për të përfaqësuar Selinë Apostolike. Ata ishin bartës të një letre, të cilën Shën Ireneu e quan potentissimas litteras (Letra e fuqishme). Ajo konsiderohej në atë kohë aq e bukur dhe kaq apostolike, saqë u lexua gjatë në shumë kisha si një lloj vazhdimësie e Shkrimeve kanonike. Toni i saj është dinjitoz, por atëror, sipas këshillës së Shën Pjetrit për pastorët. Nuk ka asgjë në të nga një frymë dominuese; përveç gjuhës solemne të bariut universal, të cilin askush nuk mund t’a kundërshtojë pa kundërshtuar vetë Zotin. Këto fjalë kaq solemne dhe kaq të forta sollën efektin e dëshiruar: paqja u rivendos në kishën e Korintit dhe delegatët e Papës e sollën shpejt lajmin e lumtur. Një shekull më vonë, Shën Dionisi, Ipeshkvi i Korintit, i shprehu Papa Shën Soterit mirënjohjen që ende ndiente kopeja e tij ndaj Shën Klementit për shërbimin që kishte bërë.

 

Ai konvertoi shumë persona në besimin e Krishtit me anë të mësimit dhe shenjtërisë së jetës së tij, dhe për këtë arsye u dëbua nga perandori Trajan në shkretëtirën e Hersonit përtej Detit të Zi. Atje ai gjeti dy mijë të krishterë, po ashtu të dëbuar nga Trajani, të cilët ishin punonin në nxjerrjen e mermerit. Duke parë se po vuanin nga mungesa e ujit, Klementi u lut dhe pastaj u ngjit në një kodër afër, në majën e së cilës pa një Qengj, duke treguar me këmbën e tij të djathtë një burim me ujë të pijshëm. Në këtë burim shuan të gjithë etjen; dhe shumë të pafe u kthyen në besim nga mrekullia dhe filluan ta nderojnë Klementin si shenjt.

 

Kur e dëgjoi këtë, Trajani u tërbua dhe dërgoi ushtarë me urdhër që të hidhnin Klementin në det me një spirancë të lidhur në qafë. Pas ekzekutimit të këtij dënimi, ndërsa të krishterët po luteshin buzë deti, uji filloi të tërhiqej tre milje larg bregut; Me t’u afruar, gjetën një ndërtesë të vogël prej mermeri, në formë tempulli ku ishte vendosur trupi i dëshmorit në një arkivol guri, dhe pranë tij spiranca me të cilën ishte mbytur. Banorët e vendit u mahnitën aq shumë nga mrekullia, saqë pranuan besimin e Krishterë. Trupi i shenjtë më pas u dërgua në Romë, nën drejtimin e Papa Nikollës I dhe u vendos në kishën e Shën Klementit. Për nder të tij u ndërtua dhe u kushtua një kishë në atë vend të ishullit ku kishte dalë shatërvani i mrekullueshëm.