Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Koha e Ardhjes

Koha e Ardhjes është një kohë përgatitjeje për ardhjen e Krishtit Fëmijë. Por si duhet të përgatitemi për Shpëtimtarin e Botës?

 

Viti liturgjik përqendrohet në jetën e Zotit tonë në tokë. Dy nga këto ngjarje shfaqen si më të veçanta: Krishtlindjet dhe Pashkët, lindja e parë e Krishtit në trup të vdekshëm dhe e dyta “rilindja” në trup të pavdekshëm. Dhe të dyja paraprihen nga një kohë e veçantë përgatitjeje dhe kremtimi i tyre zgjatet për të theksuar rëndësinë e këtyre mistereve: festa e Epifanisë (Diftesa e Jezu Krishtit) kurorëzon misterin e Krishtlindjes dhe Ngjitja në qiell është pika kulmoer e jetës së Krishtit në tokë.

 

Çfarë po presim?

 

Cila është fryma e Kishës në këtë kohë përgatitore të Ardhjes? Sigurisht, kjo përgatitje nuk ka të bëjë me ardhjen e vërtetë të Krishtit në tokë. Ai ka ardhur tashmë tek ne 2000 vjet më parë, ashtu edhe Shpirti i Shenjtë! Për më tepër, Ardhja nuk ka për qëllim të na përgatisë për ardhjen e dytë dhe të fundit të Krishtit në fund të kohës.

 

Atëherë a duhet të përgatitemi për një ardhje të veçantë të Krishtit?

 

Po, me të vërtetë. Për shfaqjen e tij, ose më mirë, ardhjen e Tij të padukshme në shpirtin tonë. Këtë Krishti e bën duke sjellë në ne hirin e Tij, një rritje të dashurisë hyjnore dhe veçanërisht me një Kungim Eukaristik të përtërirë e të zjarrtë. A nuk është një ngjarje e rëndësishme kjo ardhje dhe ky strehim në shpirtin e besimtarëve? Shumë prej nesh i zhvlerësojmë sakramentet e Pagëzimit, Pendesës dhe Eukaristisë së Shenjtë. Shumë pak e rifreskojmë kujtesën tonë për konvertimin e jashtëzakonshëm – si të parin ashtu edhe të dytin – në një jetë të devotshme nga një jetë mëkatare ose thjesht indiferente. Megjithatë, ky mister hiri, kjo dramë shpirtërore, ndodh shpesh. Priftërinjtë janë çdo javë, nëse jo çdo ditë, dëshmitarët e heshtur të thirrjes së Perëndisë për kthim, shenjtërim dhe shpëtim.

 

Jemi në një kohë urie

 

Në sfondin e zymtë të një bote pa zot që vërsulet në materializëm të plotë – të quajtur më mirë nihilizëm shpirtëror – ne lartësojmë zemrat tona, Sursum corda, drejt dritës që na jep lumturi të përjetshme. Nëse stomaku duhet të ndjejë uri që ushqimi trupor të tretet siç duhet, sa më shumë duhet të ndjejë uri shpirti?

 

Zoti nuk do t’u japë hiret e Tij atyre që janë të ngopur: “Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë.” Ky është një nga ligjet e Mbretërisë. Dhe gjatë katër javëve, një shembulltyrë e 4000 viteve që njerëzimi u privua nga Mesia, liturgjia e Kishës na jep ndjenjën e urisë shpirtërore, të nevojës për shëlbim që të jemi gati për Të.

 

Koha e Ardhjes është një shije e së kaluarës

 

Për mijëra vjet, njerëzit kuptuan mjerimin dhe paaftësinë e tyre për të arritur shpëtimin. Për disa javë, ne jemi thirrur të ndiejmë padenjësinë tonë dhe nevojën tonë për ndihmën e Perëndisë, me fjalët emocionuese të Gjon Pagëzuesit që bërtet në shkretëtirë, duke predikuar një pagëzim pendese dhe kthim në besim.