Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

E DIELA E PARË E ARDHJES

Zani i kjartë n’qortim na thotë
Epshet t’gjitha t’mbahen n’fre
Gati t’rrijë çdo njeri n’botë
N’tokë zbret Krishti, ardhë nper re

Mendja e zhgrehtë n’jetë t’re le t’zgjohet
Marrisht ma per tokë mos t’kapet
Hylli i ri mbi ne po çohet
Qi prej territ sheklli t’zmbrapet

Qe mjes nesh si Kingji lshohet
Per t’shlye falë çdo detyrim
Bota mbarë rreth tij t’bashkohet
Per t’lypë jetë, hir e perdlim.

Kshtu, kur Krishti s’dytit t’vijë
E ketë botë me tramë t’pershkojë
Ne per faje mos t’na mnijë
Por me mshirë ne le t’na mprojë

Nderë e lavd, fuqi e lumni
T’kjoftë me Birin, Atë i amshuem
Me Shpirtë Shejt gjithmonë n’lidhni
Tash e n’shekuj t’pambaruem

Ashtu kjoftë
(At Benedikt Dema O.F.M – Himnografia Liturgjike)

 
 

 

 

Kjo e dielë e parë e Ardhjes, është dita e parë e Vitit Liturgjik. Mesha sot na përgatit për ardhjen e dyfishtë (adventin) e mëshirës dhe drejtësisë. Kjo është arsyeja pse Shën Pali sot na thotë, në Letrën drejtuar Romakëve, të heqim dorë nga mëkati, në mënyrë që, duke qenë të përgatitur për ardhjen e Krishtit si Shpëtimtari ynë, të jemi gati edhe për ardhjen e Tij si Gjykatësi ynë, për të cilin na flet Ungjilli i sotëm (Luka 21:25-30). Le të përgatitemi, me aspiratat e devotshme dhe me reformimin e jetës sonë, për këtë ardhje të dyfishtë. Jezusi, Zoti ynë, do t’i shpërblejë ata që e presin Atë: “Kush beson në Të nuk do të mbeten të turpëruar.”