Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

E DIELA E DYTË E ARDHJES

Fjala e naltë, perherë qi dalë
Ka prej Atit Zot t’amshuem
N’lindje t’vet botës ndihmë i falë
Mbas sa shekujsh n’pritje t’shkuem

Tash na i zbut kto parzme t’vrashta
Na i pervlo me dashtni tande
Qi, tue lanë na punët e lashta
Perherë qiella t’na ketë n’ande

Kur Gjyqtari i naltë t’mbraruem
Botë t’gjykojë e n’zjerm fajtorët
T’i ferfllojë e n’t’merituemen
Qiellë t’i thrrasë t’gjithë dishmorët

Si ushqim flakësh mos t’bijm tu kja
N’gjire t’tmerrshme t’stigjit t’zi
Por per ftyrë Zotin tue pa
Me te t’gzojm n’jetë t’pakufi

Atit t’madh e Birtit t’tij
Si edhe Shpirtit Shejt Ngushllues
Ktu e gjithmonë u kjoftë lumni
Lavd, pushtet, nderim vazhdues
Ashtu kjoftë!

 
 

 

 

“Një pinjoll do të dalë nga rrënja e Jeseut, dhe një lule do të çelë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillës dhe i guximit, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Ai do jetë i mbushur me shpirtin e frikës së Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të qortojë sipas dëgjimit të veshëve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’i qortojë drejtësisht të përvuajturit e botës, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë tokën e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.

Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besimi do të jetë brezi i ijëve të tij. Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi, luani e delja bashkë do të qëndrojnë, dhe një fëmijë i vogël do t’i udhëheqë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit, në strofullën e kapastrecit fëmija dorën do ta futë.

S’do të bëhet as dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse bota plot do të mbushet me dijen e Zotit, porsi deti që mbushet me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngrihet si flamur për kombet, e vetë Paganët atë do ta kërkojnë, selia e tij do të jetë e lavdishme.”
ISAIA 11:1-10

 

 

Shën Bernardi, dukë komentuar mbi këto vargje në predikimin e tij të dytë të Ardhjes, thotë:

“Biri i Virgjëreshës është lulja, një lule e bardhë dhe e kuqe, e zgjedhur nga mijëra tjera; një lule të cilën engjëjt duan ta vështrojnë; një lule aroma e së cilës ringjall të vdekurit; një lule, siç na siguron ai vetë, e fushës, jo e kopshtit: sepse lulet e fushës lulëzojnë pa kujdesin e njeriut, askush nuk e ka mbjellë farën e tyre, askush nuk i ka kultivuar.

Pikërisht kështu barku i Virgjëreshës, një livadh i gjelbëruar në një pranverë të pafund, ka nxjerrë një lule, bukuria e gjallëria së cilës nuk do të shuhen kurrë.

O Virgjëreshë, degë sublime, në çfarë lartësie je ngritur! Edhe deri tek Ai që rri në fron, edhe deri tek Zoti i madhështisë. Ishte e sigurt se do të bëhej kështu, sepse ti i rrënjose thellë rrënjët e përulësisë.

O bimë e qiellit! E çmuar mbi të gjitha, më e shenjtë se të gjitha. O pemë e jetës! E vetmja e denjë për të mbartur frytin e shpëtimit.”