Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Ngjizja e Papërlyeme

O Mri Virgjin tanë lumni

Çdo naltsi t’kreatyrve theve

Ti Krijuesin njef si Fmi

Me gji t’ambel tand ushqeve

 

Çka grabiti Heva e shkretë

Me Pinjuell ti e kthen hyjnuer

Kur na shtegun t’kryejm t’ksaj jetë

Na i çil dyert p’r atë gzim qielluer

 

Per Mbret t’naltë ti derë e gjallë

E banesë tanë n’dritë e mblueme

Atë jetë t’botës, qi n’Mrinë u kallë

T’a madhnoni, fise t’pshtueme

 

Lumni t’kjoftë ty o Krisht Shelbues

Qi je lindë prej Zojës s’Bekueme

Bashkë me Atë e Shpirtë Ngushllues

Tash e n’shekuj t’jetës s’amshueme

Ashtu kjoftë!

 
 

 

 

“Ishte falë shenjtërisë së tij të pafundme që Perëndia duhej të pezullonte, në këtë rast, ligjin që drejtësia e tij hyjnore kishte miratuar mbi të gjithë fëmijët e Adamit. Marrëdhëniet që Maria do të mbante me Hyjninë, nuk mund të pajtoheshin me poshtërimin e këtij dënimi. Ajo nuk ishte vetëm Bija e Atit të Përjetshëm; ajo ishte gjithashtu e destinuar të bëhej vetë Nëna e Birit dhe Bashkëshortja e vërtetë e Shpirtit të Shenjtë; asgjë e ndotur nuk mund të lejohej të hynte, qoftë edhe për një atom kohe, në krijesën që ishte paracaktuar kështu të lidhte marrëdhënie kaq të ngushta me Trininë e adhurueshme; asnjë grimcë nuk mund të lejohej të njolloste te Maria atë pastërti të përsosur që Zoti pafundësisht i shenjtë kërkon tek ata që një ditë do të pranohen për të shijuar pamjen e madhështisë së tij hyjnore në qiell; me një fjalë, siç thotë mësuesi i madh Shën Anselmi (De Conceptu Virginali, kapitulli XVIII), “ishte e drejtë që kjo Virgjëreshë e Shenjtë të stolitej me pastërtinë më të madhe që mund të ngjizet pas asaj të vetë Zotit, sepse Zoti Atë do t’i jepte asaj, si Fëmijë të saj, Birin e vetëmlindur, të cilin Ai e deshi si veten e Tij, i lindur nga gjiri i Tij; dhe kjo në një mënyrë të tillë, që i njëjti Biri i Perëndisë ishte, nga natyra, Biri i Perëndisë Atë dhe i kësaj Virgjëreshë të Bekuar. Ky Bir e zgjodhi atë për të qenë Nëna e tij; dhe Shpirti i Shenjtë dëshiroi që në barkun e saj të vepronte ngjizjen dhe lindjen e Tij, prej të cilit Ai vetë doli.” – Dom Gueranger

 

“Prandaj, me përulësi dhe agjërim, ne pandërprerë i parqitëm lutjet tona private si dhe lutjet publike të Kishës, Perëndisë Atë, nëpërmjet Birit të tij, që Ai të denjonte të drejtonte dhe të forconte mendjen tonë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Në të njëjtën mënyrë, ne iu lutëm të gjithë ushtrisë qiellore për ndihmë, ndërsa thirrëm me entuziazëm Ngushëlluesin. 

 

Prandaj, me frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për nder të Trinisë së Shenjtë dhe të pandarë, për lavdinë dhe zbukurimin e Virgjëreshës Nënës së Zotit, për lartësimin e Besimit Katolik dhe për përparimin e Fesë Katolike, nga autoriteti i Jezu Krishtit, Zotit tonë, i Apostujve të Bekuar Pjetër dhe Pal, dhe nga i joni: “Ne deklarojmë, shpallim dhe përcaktojmë se doktrina që thotë se Virgjëresha më e Bekuar Mari, në çastin e parë të ngjizjes së saj, nga një hir dhe privilegj i veçantë i dhënë nga Zoti i Plotfuqishëm, në funksion të meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të racës njerëzore, u ruajt nga çdo njollë e mëkatit origjinal, është një doktrinë e zbuluar nga Perëndia dhe për këtë arsye për t’u besuar me vendosmëri dhe gjithmonë nga të gjithë besimtarët.

 

Prandaj, nëse dikush do të guxojë – Zoti e ndaloftë! – të mendojë ndryshe nga se është përcaktuar nga ne, le ta dijë dhe të kuptojë se ai është i dënuar nga vetë gjykimi i tij; se ai ka pësuar një mbytje të besimit; se ai është ndarë nga bashkësia e Kishës…”

  • Papa Piu IX – Ineffabilis Deus

 

Këto janë fjalët e fuqishme të Papa Piut IX në një ndër ngjarjet më të rëndësishme për Kishën Katolike – shpallja e dogmës së Ngjizjes së Papërlyer të Virgjëres Mari, më 8 Dhjetor, 1854. Një ngjarje aq e pëlqyeshme për Perëndinë dhe Virgjëreshen, sa që e gjithë bota katolike u duk se u stërmbush me hire. 

 

Një periudhë e re e shumëpritur filloi për Kishën e Shenjtë – ajo e Zojës së Papërlyer. Për të vërtetuar pëlqimin e saj, Shenjta Mari filloi të shfaqte ndërmjetësimin e saj në mënyrë të jashtëzakonshme. Vetëm 4 vite më pas, ajo i’u shfaq në Lourdes, vajzës së vogël Bernadetë, të cilës i tha: “Unë jam Ngjizja e Papërlyer.” Një fjali aq e fuqishme, të cilën Bernadeta e vogël fillimisht nuk e kuptoi. Mrekulli të pafund u bënë dhe vazhdojnë të bëhen në Lourdes, por jo vetëm. 

 

Disa dekada më vonë në 1917, në fshatin e vogël Fatima të Portugalisë, Zoja e Papërlyer do të shfaqej përsëri 3 barinjëve të vegjël – këtë herë për të zbuluar rëndësinë e ndërmjetësimit të saj për shëlbimin e shoqërisë, për mposhtjen e herezisë dhe gabimeve moderne, dhe për shpëtimin tonë. Zemra e Papërlyer e Zojës Mari, që atëherë tërhoqi hire të panumërta për besimtarët besnik të saj. Ishte nëpërmjet kësaj Zemre, që Feja Katolike dukej se po përparonte në mënyrë eksponenciale, ndërsa bota e pafe duhej se ishte nisur drejt vetëshkatërrimit; ishte kjo Zemër që mbrojti shumë kombe katolike nga rreziku ateist komunist; ishte kjo Zemër që do sillte lulëzimin e qytetërimit të Krishterë, nëse kushtet e kërkuara në Fatima do të plotësoheshin. “Një periudhë paqeje do të mbizotërojë në Botë” ishin fjalët e Zojës, dhe për të vërtetuar fjalët e saj, Ati i Gjithpushtetshëm bëri një ndër mrekullitë më të mahnitshme që nga Ringjallja e Jezu Krishtit – të ashtuquajturën Mrekulli të Diellit, e cila u dëshmua nga mbi 70,000 persona (katolikë, ateistë, masonë, komunistë, të pafe). 

 

Fjalët e Zojës duket se u injoruan nga autoritetet dhe hiret e premtuara nuk u siguruan. Komunizmi përparoi me persekutimin e tij djallëzor ndaj Kishës, virusi modernist pushtoi çdo fushë të jetës dhe madje depërtoi edhe në Kishë, por kjo nuk duhet të na shkurajojë. 

 

T’i lutemi Virgjëres Mari të na ruajë nga dashuria për botën, të na ndihmojë që t’i përngjajmë sa më shumë Zemres së saj të Papërlyer, të lutet për priftërinjë të shenjtë katolik dhe për familjet tona, që të gjithë të mund të arrijmë Mbretërine e Perëndisë, duke jetuar me mendjen dhe zemren e drejtuar nga të mirat qiellore dhe të shkëputura nga iluzionet kote që ofron bota. 

 

“Në fund Zemra ime e Papërlyer do të triumfojë” – Zoja e Fatimas.