Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

E DIELA E KATERT E ARDHJES

“Toka që ishte e shkretë dhe e pakalueshme do të ngazëllehet, shkretëtira do të gëzohet dhe do të lulëzojë si zambaku. Do të bulëzojë dhe lulëzojë dhe do të ngazëllojë me gëzim dhe lavdi; atij i’u dhurua lavdia e Libanit; bukuria e Karmelit dhe e Saronit, do të shohin lavdinë e Zotit dhe bukurinë e Perëndisë tonë.

Forconi duart dhe gjunjët e dobët. Thuaju të druajturve: Merrni guxim dhe mos kini frikë: ja, Perëndia yt do të sjellë hakmarrjen e shpërblimit: vetë Zoti do të vijë dhe do t’ju shpëtojë.

Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve dhe veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri dhe gjuha e memecit do të lirohet, sepse në shkretëtirë kanë shpërthyer ujëra dhe përrenj. Dhe ajo që ishte tokë e thatë pellg do të bëhet dhe toka e etur burim uji.

Në strofkat ku banonin më parë dragonjtë, do të gjelbërojë kallamishte dhe xunkth. Dhe atje do të ketë një shteg dhe një udhë e do të quhet Udha e shenjtë; i papastërti nuk do të kalojë nëpër të; dhe kjo do të jetë për ju një udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Asnjë luan atje nuk do të ketë, dhe asnjë bishë grabitqare nuk do kalojë nëpër të dhe as nuk do të gjendet atje; por atje do të ecin vetëm të çliruarit.

Dhe të shpërlblyerit e Zotit do të kthehen dhe do të hyjnë në Sion me lavdi dhe do mbi kokat e tyre do ketë gëzim të përhershëm; ata do t’i shoqërojë gëzimi dhe hareja, e trishtimi dhe pikëllimi do të zhduken.” ISAIA 35

 

Oh, gëzimi i ardhjes Tënde, i dashur Jezus! sa i madh duhet të jetë, kur profecia thotë se do të jetë si një kurorë e përjetshme mbi kokat tona. E a mund të jetë ndryshe? Vetë shkretëtira do të lulëzojë si zambaku dhe ujërat e gjalla do të burojnë nga toka e tharë, sepse Perëndia i tyre po vjen.

Eja, o Jezus, eja shpejt dhe na jep nga ai ujë, që rrjedh nga Zemra Jote e Shenjtë dhe të cilin samaritanja, shëmbulltyra e ne mëkatarëve, t’a kërkoi me një lutje aq të zjarrtë. Ky ujë është hiri yt; le të bjerë shi mbi shpirtrat tanë të tharë dhe ata gjithashtu do të lulëzojnë; le të na shuajë etjen dhe ne do të vrapojmë në udhën e urdhërimeve dhe shembullit Tënd. 

 

Ti, o Jezus, je udha jonë, rruga jonë drejt Perëndisë; dhe ti je Perëndia; Prandaj, ti je edhe udha edhe destinacioni në të cilin na çon kjo udhë. Patëm humbur rrugën; ne patëm shkuar në rrugë të gabuar si dele të humbura: sa e madhe dashuria Jote që të vijë kështu në kërkim të nesh!
Për të na mësuar udhën për në parajsë, ti zbrite nga qielli dhe ece me ne rrugën që të çon në të.

Jo! nuk do të ketë më duar të dobëta, as gjunjë të dobët, as zemra të frikësuara; sepse e dimë se ti po vjen tek ne nga dashuria. Ka vetëm një gjë që na trishton: përgatitja jonë nuk është e plotë. Kemi ende disa lidhje për t’i thyer; na ndihmo, o Shpëtimtar i njerëzimit! Ne dëshirojmë t’i bindemi zërit të Pararendësit Tënd Gjonit dhe t’i sheshojmë ato rrugë të ashpra, që do të pengonin ardhjen Tënde në zemrat tona, o Foshnjë hyjnore! Na bëj që të pagëzohemi në Pagëzimin e ujërave të pendesës; Së shpejti do të vish të na pagëzosh me Shpirtin e Shenjtë dhe dashuri. -DOM GUERANGER-

Liturgjia tradicionale e Ardhjes.

 

Gjatë 7 ditëve para Krishtlindjes këndohen këto antifona:

 

O Sapientia (O Dije)

O Adonai (O Zot)

O Radix Jesse (O Pinjoll i Jeseut)

O Clavis David (O Çelësi i Davidit)

O Oriens (O Agim Rrezatues)

O Rex Gentium (O Mbret i Kombeve)

O Emmanuel (O Emanuel)

 

Këto janë disa ndër titujt e Shpëtimtarit në Testamentin e Vjetër në latinisht. Nëse i lexojmë shkronjat e para të titujve nga poshtë lart, kemi ERO CRAS – që do të thotë “DO VIJ NESËR”