Lindja e Krishtit
Pritshmëria e Të Gjithë Kombeve
Pritshmëria e Të Gjithë Kombeve
Viti 5199 nga Krijimi i Botës, kur në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën; nga Përmbytja, viti 2957: nga lindja e Abrahamit, viti 2015: nga Moisiu dhe Dalja e bijve të Izraelit nga Egjipti, viti 1510; nga vajosja e Davidit mbret, viti 1032: në javën e 65 sipas profecisë së Danielit: në Olimpiadën e 194: viti 752 nga ndërtimi i qytetit të Romës: në vitin e 42-të të mbretërimit të Oktavian Augustit: në epokën e gjashtë të botës ndërsa e gjithë bota ishte në paqe: Jezu Krishti, Perëndia i përjetshëm dhe Biri i Atit të përjetshëm, duke dashur ta shenjtërojë këtë botë me ardhjen e tij më të mëshirshme, duke u ngjizur nga Shpirti i Shenjtë dhe pasi kishin kaluar nëntë muaj nga ngjizja, lindi në Betlehem të Judesë nga Virgjëresha Mari, duke u bërë njeri.
Martirologjia Romake
Ajo që e ndan Krishtin nga të gjithë njerëzit është se së pari Ai pritej; edhe johebrenjtë kishin një dëshirë të madhe për një çlirimtar ose shpengues. Ky fakt vetëm e dallon Atë nga të gjithë udhëheqësit e tjerë fetarë.
Taciti, duke folur për romakët e lashtë, thotë: “Njerëzit në përgjithësi ishin të bindur në besimin e profecive të lashta, se Lindja do të mbizotëronte dhe se nga Judea do të vinte Zoti dhe Sundimtari i botës”.
Suetoniusi, në rrëfimin e tij për jetën e Vespasianit, dëshmon kështu traditën romake: “Ishte një besim i vjetër dhe i vazhdueshëm në të gjithë Lindjen, se me anë të profecive të caktuara të padiskutueshme, hebrenjtë do të arrinin fuqinë më të lartë”.
Kina kishte të njëjtën pritshmëri; por për shkak se ishte në anën tjetër të botës, besonte se Njeriu i Urtë i madh do të lindte në Perëndim. Kronikat e Perandorisë Qiellore (Kineze) përmbajnë deklaratën: “Në vitin e 24-të të Tchao-Wang të dinastisë së Tcheou, në ditën e 8-të të hënës së 4-të (rreth 1029 Para Krishtit), një dritë u shfaq në jugperëndim që ndriçoi pallatin e mbretit. Monarku, i mahnitur nga shkëlqimi i tij, i mori në pyetje të urtët. Ata i treguan libra në të cilët kjo mrekulli nënkuptonte shfaqjen e Shenjtit të madh të Perëndimit, feja e të cilit do të vinte në vendin e tyre 1000 vjet pas lindjes së Tij.”
Edhe grekët e prisnin Atë, sepse Eskili në Prometeun e tij gjashtë shekuj para ardhjes së Tij, shkroi: “Mos prit për fundin e këtij mallkimi derisa të shfaqet Zoti, për të pranuar si zëvëndës mbi kokën e Tij mundimet e mëkateve tuaja”.
Si e dinin Të Urtrit e Lindjes për ardhjen e Tij? (Mateu 2:1-12) Ndoshta nga profecitë e shumta të qarkulluara nëpër botë nga judenjtë, si dhe nga profecitë e bëra johebrenjve nga Danieli shekuj para lindjes së Tij. Disa mendojnë se ata ishin ndjekës të profecive të Zoroastrit në të cilat parashikon mishërimin e Krishtit.
Ciceroni, pasi tregoi thëniet e orakujve të lashtë dhe të Sibilës për një “Mbret të cilin duhet ta pranojmë për t’u shpëtuar”, pyeti: “Cilit njeri dhe cilës periudhë kohore i drejtohen këto parashikime?” Eklogu i Katërt i Virgjilit tregoi të njëjtën traditë të lashtë dhe foli për “një grua të dëlirë, që i buzëqeshte djalit të saj të sapolindur, me të cilin do të kalonte epoka e hekurit”.
Suetoniusi citoi një autor bashkëkohor që thonte se romakët kishin aq frikë nga një mbret që do të sundonte botën, saqë ata urdhëruan të vriteshin të gjithë fëmijët e lindur atë vit – një urdhër që nuk u përmbush, përveçse nga Herodi.
Jo vetëm që hebrenjtë prisnin lindjen e një Mbreti të Madh, një Njeriu të Urtë dhe të një Shpëtimtari, por Platoni dhe Sokrati folën gjithashtu për Logos-in dhe për Njeriun e Urtë Universal “që do të vijë”.
Konfuci foli për “shenjtin”; Sibilat, për një “Mbret Universal”; dramaturgët grek, për një shpëtimtar dhe shpengues që do çlironte njeriun nga “mallkimi më i vjetër”.
E kush mund të injorojë profecitë judease për Krishtin të parathëna me shekuj para ardhjes së tij dhe të plotësuara vetëm nga Ai?
1. Mesia do të lindë në Betlehem
Mikea 5:2; përmbushur në Mat. 2:1-7; Gjoni 7:42; Lluka 2:4-7
2. Mesia do të paraprihet nga një i Dërguar
Isaia 40:3; Malakia 3:1; përmbushur te Mateu 3:1-3; 11:10; Gjoni 1:23; Luka 1:17
3. Mesia do të hyjë në Jerusalem mbi një gomar
Zakaria 9:9; përmbushur te Luka 35-37; Mateu 21:6-11
4. Mesia do të tradhtohet nga një mik
Psalmet 41:9; 55:12-14; përmbushur te Mateu 10:4; 26:49-50; Gjoni 13:21
5. Mesia do të shitet për 30 monedha argjendi
Zakaria 11:12; përmbushur te Mateu 26:15; 27:3
6. Paratë për të cilat shitet Mesia duhet të hidhen në shtëpinë e Perëndisë
Zakaria 11:13; përmbushur te Mateu 27:5-7
7. Mesia do të lindë nga një virgjëreshë
Isaia 7:14; përmbushur te Mateu 1:18-2:1; Luka 1:26-35
8. Mesia do urrehet pa shkak
Isaia 49:7; Psalmi 69:5; përmbushur te Gjoni 15:24-25
9. Mesia do të heshtë përpara akuzuesve të Tij
Isaia 53:7; përmbushur te Mateu 27:12
10. Mesia do të ekzekutohet me kryqëzim, duke i shpuar duart dhe këmbët
Psalmi 22:16; përmbushur te Gjoni 19:28
11. Mesias do t’i jepet uthull për të shuar etjen e Tij
Psalmi 69:22; përmbushur te Mateu 27:34
12. Mesia do të ekzekutohet pa i thyer një kockë
Eksodi 12:46; Psalmi 34:21; përmbushur te Gjoni 19:33-36
13. Mesia do të varroset me të pasurit kur të vdesë
Isaia 53:9; përmbushur te Mateu 27:57-60
14. Mesia do të ringjallet nga të vdekurit
Isaia 53:9-10; Psalmi 2:7; 16:10; përmbushur te Mateu 28:1-20; Veprat e Apostujve 2:23-36;13;33-37; 1 Korintasve 11:4-6
15. Mesia do të ekzekutohet me kryqëzim si hajdut
Psalmi 22:16; Zakaria 12:10; Isaia 53:5, 12; përmbushur te Lluka 23:33; Gjoni 20:25; Mateu 27:38; Marku 5:27, 28
Një fakt i dytë dallues është se sapo u shfaq, Ai e preku historinë me një ndikim të tillë sa e ndau atë në dysh, duke e ndarë në dy periudha: njëra para ardhjes së Tij, tjetra pas saj. Buda nuk e bëri këtë, as ndonjë nga filozofët e mëdhenj indianë. Edhe ata që e mohojnë Zotin duhet t’i datojnë sulmet e tyre nga ardhja e Tij. (A.D)
Një fakt i tretë që e ndan Atë nga të gjithë të tjerët është ky: çdo person tjetër që ka ardhur ndonjëherë në këtë botë ka ardhur në të për të jetuar. Ai erdhi në të për të vdekur. Vdekja ishte një pengesë për Sokratin – ajo e ndërpreu mësimin e tij. Por për Krishtin, vdekja ishte qëllimi dhe përmbushja e jetës së Tij, ari që Ai po kërkonte. Pak nga fjalët ose veprimet e Tij janë të kuptueshme pa iu referuar Kryqit të Tij.
Ai e paraqiti veten si një Shpëtimtar dhe jo thjesht si një Mësues. Do të ishte e kotë për t’i mësuar njerëzit që të jenë të mirë nëse Ai gjithashtu nuk u dha atyre fuqinë për të qenë të mirë, pasi t’i shpëtonte nga faji.
Historia e jetës së çdo njeriu fillon me lindjen dhe përfundon me vdekjen. Megjithatë, në Personin e Krishtit, ishte vdekja e Tij që ishte e para dhe jeta e Tij që ishte e fundit. Shkrimi e përshkruan Atë si të thuash “Qengji i therur, që nga fillimi i botës”. Ai u vra nga mëkati i parë dhe rebelimi kundër Perëndisë.
Nuk po them që lindja e Tij hodhi një hije mbi jetën e Tij dhe çoi direkt në vdekjen e Tij por se Kryqi ishte i pari dhe hodhi hijen e tij përsëri në lindjen e Tij. E tija ka qenë e vetmja jetë në botë që është jetuar mbrapsht. Ashtu si lulja në murin e çarë na shfaq Poetin e natyrës, dhe ashtu si atomi është miniaturë e sistemit diellor, po ashtu, lindja e Tij tregon misterin e kryqit. Ai shkoi nga e njohura te e njohura, nga arsyeja e ardhjes së Tij e shfaqur me emrin e Tij “Jezus” (Shpëtimtar në hebraisht) në përmbushjen e ardhjes së Tij, domethënë, vdekjen e Tij në Kryq.
(Parafrazim nga Imzot Fulton Sheen)