Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes - Pjesa e Parë
Diku më pak se 2000 vjet më parë, një gjyqtar, i quajtur Pilat, u ul në fronin e tij, duke pritur për një të burgosur, emri i të cilit ishte Jezus. Kur ky i burgosur mbërriti dhe qëndroi para këtij gjyqtari, u pyet: “A je pra ti mbret?” Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret. Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është për të vërtetën e dëgjon zërin tim” (Gjn 18:37). Kështu foli Zoti i së Vërtetës. Prandaj, për hir të së vërtetës, Biri i Hyjit erdhi nga qielli; për hir të së vërtetës Ai u bë njeri dhe lindi në botë; për hir të së vërtetës Ai qëndroi para gjykatësit si i burgosur; madje, për të vërtetën që erdhi për të na mësuar, Ai vdiq.
Pilati i tha: ”Ç’është e vërteta?”. dhe, na thuhet, shkoi në rrugën e tij. Miliona burra dhe gra kanë bërë të njëjtën pyetje që atëherë; disa prej tyre seriozisht, të tjerë si Pilati, me tallje dhe shaka. Ne e dimë, falë Zotit, atë që ata nuk besuan, edhe pse Ai u tregoi atyre se Ai, Jezu Krishti, Zoti ynë Hyjnor, erdhi në botë për të na thënë të vërtetën: të vërtetën për Hyjin, të vërtetën për veten tonë, të vërtetën për këtë jetë dhe jetën që do të vijë. E çuditshme, me të vërtetë, sa shumë po bëjnë sot të njëjtën pyetje, çfarë është e vërteta? Ku mund të gjendet? Sikur të mos kishte pasur shpallje nga Zoti; sikur Jezu Krishti, Biri i Hyjit, të mos ishte bërë kurrë njeri dhe të mos na kishte premtuar kurrë: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Sikur të mos kishte thënë kurrë: “Sepse unë linda dhe për këtë erdha në botë, që të dëshmoj të vërtetën”.
Lexuesi im i dashur, e marr si të mirëqenë se ti, megjithëse mund të mos jesh katolik, beson se Jezu Krishti është Fjala e vërtetë dhe Biri i Hyjit; se nga fjalët dhe veprat e Tij hyjnore, ju e shikoni Atë si një mësues të dërguar nga Zoti dhe se, ashtu si Nikodemi që erdhi te Jezusi natën, edhe ju mund t’i thoni Atij: “Mësues, ne e dimë se ti je mësues i dërguar nga Hyji, sepse askush nuk mund t’i bëjë këto gjëra që bën ti, nëse nuk është Hyji me të” (Gjn. 3:2).
Më tej e marr si të mirëqenë se ju shihni në ringjalljen e Jezu Krishtit provën madhështore dhe kulmore që kur Ai tha: “Unë dhe Ati im jemi një,” Ai tha të vërtetën; dhe për këtë arsye, gjithashtu, ju nuk do të kundërshtonj nëse u vendos mbi buzët tuaja fjalët e Apostullit Shën Pjetër: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalët e jetës së përjetshme. Dhe ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Hyjit” (Gjn. 6:69-70).
Lexuesi im i dashur, më lejoni tani të bëj një pyetje: jo me shaka, jo me përbuzje, por me nderim dhe sinqeritet. Ne do ta pyesim Atë që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta; i cili nuk mund të na çojë në rrugë të gabuar dhe që nuk do të refuzojë t’u përgjigjet atyre që vijnë tek Ai në besë dhe besim. Pyetja është kjo: Ku mund të gjendet tani e Vërteta e Jezu Krishtit? Siç e kam thënë më parë, ne do të mbështetemi te Vetë Jezu Krishti për përgjigjen, te vetë fjalët e Tij të shkruara në Ungjill; dhe së dyti, te fjalët e Besëlidhjes së Re, të shkruara nga ata që Ai personalisht i stërviti dhe i mësoi; të cilëve Ai u premtoi Shpirtin e Shenjtë për t’i udhëhequr ata drejt së vërtetës; dhe në fund ata të cilëve Ai u dha urdhër: “Shkoni dhe mësoni të gjithë kombet”.
Dëgjoni fjalët e Jezu Krishtit: “Kushdo që do të më rrëfejë përpara njerëzve, edhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiell; por atë që do të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiell” (Mt. 10:32-33) Dhe vazhdon: “Sepse erdha të ndaj njeriun nga babai i tij dhe të bijën nga e ëma” (Mt. 10:35) Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se për Jezu Krishtin, i cili erdhi për të dëshmuar të vërtetën, kjo e vërtetë është aq shumë e rëndësishme sa një njeri duhet të jetë gati të grindet me miqtë dhe të afërmit e tij, në vend që të heqë dorë nga Ajo, sepse Mësuesi Hyjnor përfundon: “Ai që e do babanë ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që do djalin ose vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua” (Mt. 10:37). Kur Zoti ynë Hyjnor u dha Apostujve të Tij detyrën solemne për t’i predikuar Ungjillin e Tij mbarë njerëzimit, këto ishin fjalët që Ai përdori: “Shkoni në mbarë botën dhe predikoni Ungjillin çdo krijese. Ai që beson dhe pagëzohet, do të jetë i shpëtuar, por ai që nuk beson do të dënohet” (Mk. 16:15-16).
Dhe kur Shpëtimtari ynë dërgoi 72 nxënësit e Tij për të predikuar, Ai përfundoi duke thënë: “Ai që ju dëgjon, më dëgjon mua dhe ai që ju përbuz ju, më përçmon mua; dhe ai që më përçmon mua, përçmon Atë që më dërgoi” (Lk. 10:16). Aq e shenjtë, pra, aq e detyrueshme është e vërteta e Krishtit, sa ata që nuk do t’i dëgjojnë ata që janë dërguar nga Hyji për ta mësuar atë, kryejnë mëkatin e përbuzjes ndaj Vetë Zotit. Nuk është çudi, pra, lexuesi im i dashur, se kur Biri i Përjetshëm i Hyjit foli kështu, – Apostujt e Tij ishin intolerantë ndaj atyre që u përpoqën ta mohonin ose ndryshonin mësimin.
Dëgjoni fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve, të cilët kishin dëgjuar mësime të ndryshme nga të tijat: “Dhe nëse ne, ose një engjëll nga qielli, do t’ju predikojë një Ungjill tjetër nga ai që ju kemi predikuar, ai qoftë mallkuar” (Gal. 1:8). Dhe më pas apostulli vazhdon të japë arsyen duke thënë: “Sepse po ju vë në dijeni, vëllezër, se ungjilli që kam predikuar nuk është sipas njeriut, sepse as nuk e kam marrë nga njeriu dhe as nuk e kam mësuar, por nga zbulesa e Jezu Krishtit” (Gal. 1:12). Timoteut, mbi të cilin ai kishte shtrirë duart, duke e shenjtëruar atë si ipeshkëv në Kishën e Hyjit, i njëjti apostull i shkruan: “Ruaje formën e fjalëve të shëndosha që ke dëgjuar prej meje në besim dhe në dashurinë që është në Jezu Krishtin. Ruaje visarin e mirë (doktrinën e mirë) që tu besua nga Shpirti i Shenjtë që banon në ne. (II Tim. 1:13-14).
Dëgjoni fjalët e Shën Gjonit kur ai identifikon mësimet apostolike me vetë Fjalën e Zotit: “Ne jemi të Hyjit. Ai që e dëgjon Hyjin na dëgjon ne, ai që nuk është i Hyjit nuk na dëgjon.” Me sa duket, lexuesi im i dashur, Apostujt ishin besnikë ndaj urdhrit që u dha atyre nga Mësuesi i tyre: “E gjithë fuqia më është dhënë në qiell dhe në tokë. Prandaj, shkoni (në fuqinë e Tij dhe me autoritetin e Tij), mësojini të gjithë kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, e të Birit dhe të Shpirtit Shenjtë, duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mt. 28:18-20). Vini re, lexues i dashur, fjalët, “të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar”; pra e vërteta, e gjithë e vërteta dhe asgjë tjetër veç së vërtetës; sepse i njëjti Mësues Hyjnor deklaroi: “Kush beson dhe pagëzohet do të shpëtohet; kush nuk beson do të dënohet” (Mk. 16:16).
Dhe për të ndihmuar lajmëtarët e Tij në punën e tyre, Krishti u premtoi atyre dhuratën e pranisë së Shpirtit të Shenjtë në ta, jo për një ditë, ose për një brez, por përgjithmonë, dhe tha se Ai vetë, nëpërmjet Shpirtit që banon në ta, do të ishte me ta deri në fund të kohës. “Unë do t’i kërkoj Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që të qëndrojë përgjithmonë me ju. Ngushëlluesi, Shpirti i Shenjtë, të cilin Ati do ta dërgojë në emrin Tim, do t’ju mësojë të gjitha gjërat dhe do t’ju sjellë në mendje gjithçka që Une ju kam thënë” (Gjn. 14:16-26). Unë jam me ju përgjatë gjithë ditëve, deri në fundin e botës” (Mt. 28:19-20).
Lexuesi im i dashur, po për të gjitha këto në shekullin e njëzetë? A kanë dështuar premtimet e Krishtit? A është zhdukur e vërteta e Krishtit nga njerëzimi? A ka humbur dhe a është zhdukur ne rërën e kohës Ai lum jetëdhënës i së vërtetës shpëtuese? Jo! Nuk mund të jetë; sepse ishte Krishti, Hyji i mishëruar që tha: “Ja, unë jam me ju përgjatë gjithë ditëve, madje deri në fundin e botës… Unë do të dërgoj një Ngushëllues tjetër, dhe Ai do të qëndrojë me ju përgjithmonë… Ai do t’ju drejtojë në gjithë të vërtetën.”
Timoteut, apostulli Shën Pal i shkruan: “Gjërat që ke dëgjuar prej meje, po ato jepjau njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerët” (II Tim. 2:2). Dhe këta njerëz janë shuguruar në detyrën e tyre me anë të shtrirjes së duarve. “Ngjalle”, i thotë Shën Pali Timoteut, “ngjalle hirin e Hyjit që është në ty prej duarve të mia” (II Tim. 1:6). Dhe përsëri, duke folur për detyrën e Timoteut për të shuguruar të tjerët ne vend të tij, apostulli shkruan: “Mos ia shtrini duart lehtë askujt” (1 Tim. 5:22). Priftërinjve të Efesit, në atë ndarje përçmuese të regjistruar në kapitullin e njëzetë të Veprave të Apostujve, Shën Pali u thotë: “Kini kujdes për veten tuaj dhe për të gjithë kopenë, mbi të cilën Shpirti i Shenjtë ju ka bërë ipeshkvinjë për të drejtuar Kishen e Hyjit, të cilën Ai e ka blerë me gjakun e Tij” (Veprat 20:28).
Tani, pra, për ta përmbledhur, cili është qëndrimi i Krishtit dhe i apostujve ndaj së vërtetës hyjnore? Për ta është e shenjtë, e detyrueshme, çështje jete apo vdekjeje. Për këtë, një njeri duhet të përgatitet të lërë babanë, nënën dhe familjen; nuk lejohet asnjë mospajtim apo opinion privat. Mohimi ose refuzimi i së vërtetës është një mëkat që meriton mallkim. Kjo e vërtetë duhet t’u mësohet “të gjithë kombeve, ti predikohet “çdo krijese”: njerëzit duhet të zbatojnë gjithçka që Krishti ka urdhëruar; ata që besojnë do të shpëtohen; ata që nuk besojnë do dënohen. Kjo e vërtetë është në buzët e mësuesve të shuguruar me anë të shtrirjes së duarve; Shpirti i Shenjtë do të qëndrojë me ta përgjithmonë dhe do t’i udhëheqë ata në çdo të vërtetë; Vetë Krishti është me lajmëtarët e Tij deri në fund të botës.