Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes - Sakramentet (Pagëzimi, Krezmimi)
Pasi kemi shqyrtuar në detaje vërtetësinë dhe harmoninë e Kishës Katolike, le të vazhdojmë tani të shqyrtojmë dy mjetet e mëdha që ka lënë Jezu Krishti në Kishën e Tij, për të siguruar shpëtimin e njeriut. Mjeti i parë dhe universal është ai i lutjes.
I dyti përfshin sakramentet. Të dyja janë konsideruar si kanalet më të mëdha të hirit. Hiri është një dhuratë e mbinatyrshme e Hyjit që i është dhuruar njeriut për shëlbimin e tij. Ai është dhënë nëpërmjet meritave të Jezu Krishtit. Hyji i ka vendosur mjetet e hirit brenda mundësive të të gjithë njerëzve vullnet mirë. Në mirësinë e Tij të pafundme Zoti e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij dhe e ka destinuar për lumturitë e Parajsës. Ai sakrifikoi Birin e Tij të vetëm për shëlbimin e njerëzimit. Ai e di se edhe tani askush nuk mund të shkojë në Parajsë pa ndihmën hyjnore. Prandaj, ai vë në dispozicion të njeriut meritat e pafundme të Jezu Krishtit. Por çfarë do të përfitonte njeriu nga meritat e Shpëtimtarit, nëse ai nuk do të kishte mjete për t’i përvetësuar ato? Zoti, i Cili e do njeriun me një dashuri të përjetshme, i di të gjitha këto.
Prandaj, në mirësinë, dashurinë dhe mëshirën e Tij të pafundme, Hyji ka siguruar mjete të përshtatshme për shpëtimin e të gjithë njerëzve vullnet mirë. Tani këto mjete janë dy llojesh, njëri i përgjithshëm, tjetri i veçantë. I pari është privilegji i lutjes, i quajtur nga Shën Alfonsi “mjeti i mrekullueshëm i shpëtimit”. Tjetri përbëhet nga ato sakramente që Jezu Krishti na ka dhënë nëpërmjet Kishës.
Lutja është mjeti i mrekullueshëm i hirit. Është i mrekullueshëm, sepse është universal dhe i efektshëm. Secili është i aftë t’a kryej. Hyji, i Cili është kaq i urtë, i dashur dhe i mirë, e ka vendosur këtë mjet hiri në zemrën e çdo njeriu. Lutja është, me të vërtetë, mjeti universal i ndihmës mbinatyrore. Është çelësi i artë me të cilin fëmija, si dhe teologu, mëkatari si dhe shenjti mund të zhbllokojnë thesaret e mëshirës hyjnore. Thirrja e pafajshme e fëmijës, rënkimi i penduar i mëkatarit dhe psherëtima e zjarrtë e shpirtrave të zgjedhur të Hyjit bëhen të efektshmë në mënyrë të barabartë nga një vullnet i mirë. Kur njeriu lutet, Zoti nuk i merr parasysh braktisjet e tij, qofshin ato të shkuara apo të ardhshme; Ai vlerëson më tepër thesaret e pafundme të Birit të Tij të kryqëzuar dhe vullnetin e mirë të tanishëm të njeriut. Aq i shqetësuar është Ai për të dëgjuar lutjen e njeriut, saqë në fakt na thotë se “Ai qëndron te dera dhe troket”. Ai qëndron te dera e zemrës sate, o shpirt i krishterë, duke trokitur, duke lutur që T’a pranosh. Ashtu siç e hapni zemrën tuaj me lutje, drita e Hyjit do të ndriçojë mendjen tuaj, do të forcojë vullnetin tuaj dhe do ta ndezë zemrën tuaj me dashurinë e Tij. Lutja do të sjellë për jobesimtarin dhuratën e besimit. Lutja do të hapë Kishën e vërtetë për jo-katolikët vullnet mirë. Lutja do të sigurojë për të gjithë vullnet mirët hiret e përditshme të nevojshme për një jetë të virtytshme.
Mjeti i dytë i madh për shpëtimin e njeriut, i lënë nga Jezu Krishti dhe i themeluar me të vërtetë prej Tij, janë sakramentet e Kishës Katolike. Ata janë shtatë në numër. Besimi universal i Krishterimit deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë pranon se Shpëtimtari ynë Hyjnor themeloi shtatë sakramente dhe nëse besimi universal në shtatë sakramentet është i rremë, atëherë Krishti nuk e mbajti fjalën e Tij dhe Shpirti i Shenjtë dështoi në përgjegjësinë e Tij nëse Ai lejoi një korruptim të fesë për të shkatërruar Kishën, kundër së cilës Shëlbyesi jonë tha se as fuqitë e ferrit nuk do të triumfojnë.
Pagëzimi
Pagëzimi është sakramenti i rigjenerimit ose i lindjes shpirtërore. Ai i lartëson qeniet njerëzore në dinjitetin e fëmijëve të Hyjit, vëllezërve të Jezu Krishtit dhe trashëgimtarëve të Parajsës. Ai shlyen të gjitha mëkatet për të cilat i pagëzuari është fajtor dhe i jep atij hir shenjtërues. Pagëzimi i bën ata që e marrin atë në mënyrë të vlefshme, të krishterë dhe trashëgimtarë të Parajsës. Domosdoshmëria e Pagëzimit u theksua nga Shpëtimtari ynë kur i tha Nikodemit: “Amen, amen, Unë të them ty, nëse njeriu nuk lind përsëri nga uji dhe Shpirti i Shenjtë, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Hyjit” (Gjn. 3:5). Për shkak të kësaj nevoje urgjente, Jezu Krishti urdhëroi që çdo person që përdor arsyen mund të pagëzojë në mënyrë të vlefshme. Pagëzimi zakonisht administrohet nga derdhja e ujit mbi kokën ose fytyrën e personit që do të pagëzohet duke thënë në të njëjtën kohë: “Unë të pagëzoj ty në emër të Atit, e të Birit dhe të Shpirtit Shenjtë”.
Mund të jetë mirë të përmendim faktin se urdhri për të pagëzuar ishte ndër fjalët e fundit të thëna nga Shpëtimtari ynë Hyjnor përpara ngjitjes së Tij në Qiell, kur Ai tha: “Shkoni pra, mësoni të gjitha kombet; duke i pagëzuar në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit Shenjtë. Ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet.” Kështu, në bindje ndaj Mjeshtrit të tyre Hyjnor, ne i gjejmë Apostujt duke pagëzuar: “Pendohuni dhe secili prej jush të pagëzohet në Emrin e Jezu Krishtit, për faljen e mëkateve tuaja dhe do të merrni Shpirtin e Shenjtë.” Kështu ju bëri thirrje Shën Pjetri në Rrëshajën e parë, kur Apostujt pagëzuan mijëra. “Çohu dhe pagëzohu dhe laji mëkatet e tua duke thirrur emrin e Tij”, ishte mesazhi i priftit të përulur që pagëzoi Apostullin e ardhshëm të Johebrenjve dhe u bë instrumenti i hirit të Zotit në shndërrimin e Saulit të Tarsusit në Shën Pal.
Popër pagëzimin e foshnjave? Jezu Krishti thotë: “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni.” Kështu që Kisha e Krishterë u jep fëmijëve të saj Pagëzimin sa më shpejt të jetë e mundur. Shën Pali, gjithashtu, padyshim që përfshinte si fëmijët ashtu dhe të rriturit kur pagëzoi familje të tëra; rojen e burgut dhe të gjithë të tijtë; Lidian dhe familjen e saj; dhe në fund shtëpia e Stefanasit. Prindërit e krishterë, duke e ditur se fëmija i tyre ka lindur në mëkatin origjinal, përpiqen ta paraqesin atë për Pagëzim sa më shpejt të jetë e mundur. Është e mundur, i dashur lexues, që termi “Mëkati origjinal” të mos jetë i njohur për ju; për këtë arsye më lejoni një shpjegim të vogël. Zoti e krijoi këtë botë në një gjendje të përsosur; asgjë nuk mungonte për përsosmërinë e saj. Pastaj Ai krijoi prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën. Ju të gjithë e dini historinë se si ata hëngrën nga pema e “të mirës dhe të keqes” në kundërshtim me urdhrin e Zotit. A nuk është ky kulmi i prapësisë, përballë harmonisë së tyre intime me Hyjin dhe pas gjithë asaj që Ai u kishte dhënë atyre, që ata nuk e mbajtën porosinë e thjeshtë; për të mos ngrënë nga fryti i një peme të caktuar? Ata hëngrën dhe ky mëkat quhet Mëkati Origjinal, sepse mëkati ka origjinën në prindërit tanë të parë, të cilët u dëbuan menjëherë nga parajsa (Zan. 3:23-24).
Ne të gjithë jemi pjesë e këtij mëkati dhe hyjmë në këtë botë të “zhveshur” nga të gjitha të drejtat e mbinatyrshme me të cilat Zoti i kishte pajisur njerëzimin. Prandaj njeriu vjen në këtë botë si armik i Zotit. “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Rom. 5:12).
A nuk jemi ne imitues të Adamit sa herë që dëgjojmë dëshirat e natyrës sonë të shthurur? Sa shpesh ndjekim shembullin e Suzanës fisnike dhe të dëlirë? “por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit” (Dan. 13:23).
Meqenëse Pagëzimi gjithashtu heq të gjitha mëkatet është mirë të shtohet një shpjegim i vogël. Mëkati është në të vërtetë dy llojesh, ai mund të jetë i rëndë ose i vdekshëm dhe mund të jetë i lehtë. Mëkati i vdekshëm është një mosbindje e pafytyrë dhe e rëndë kundër Hyjit, Zotit tonë. Imagjinoni pafytyrësinë e njeriut, krijesës, që revoltohet kundër Krijuesit dhe Mbrojtësit të tij, sikur t’i thoshte: Unë e di se çfarë Ti ke urdhëruar, por nuk do ta bëj; Unë e di se Ti je Krijuesi dhe Mbrojtësi im, por nuk më intereson. Ashtu si njeriu mund të shtypë me këmbën e tij krimbin e gjorë, ashtu Zoti mund ta asgjësojë dhe shkatërrojë njeriun. Por Zoti nuk e dëshiron vdekjen e mëkatarit. Ai dëshiron që ai të jetojë dhe të pendohet.
Një shkelje serioze e ligjit të Hyjit shkatërron jetën shpirtërore. Një shkelje e tillë quhet mëkat i vdekshëm ose mortor, nga fjala latine, mors, që do të thotë vdekje. Për këtë arsye Hyjit i tha Adamit: “Në atë ditë që do të hash nga pema e dijes, do të vdesësh” (Zan. 2:17).
Për të kryer një mëkat të vdekshëm, tre kushtet e mëposhtme janë të nevojshme: (1) një shkelje e rëndë e ligjit të Hyjit; (2) njohja e plotë e ligjit; (3) shkelje e vullnetshme e tij. Nëse njëra prej këtyre gjërave thelbësore mungon, shkelja ose nuk është fare mëkat, ose është një mëkat i lehtë.
Shpirt, i krijuar për Parajsë, shqyrto pasojat e frikshme të mëkatit të vdekshëm: Së pari, ndarja nga Hyji, duke na boshatisur kështu nga dashuria dhe miqësia e Tij; së dyti, na rrëmben të gjitha meritat dhe trashëgiminë tonë në Parajsë; së treti, ajo sjell mbi ne gjykimet e drejta të Hyjit në këtë botë dhe në dënimin tjetër të përjetshëm. “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?” (Mt. 16:26).
Mëkati i lehtë, megjithëse i vogël për sytë e të krishterit të vakët, është si tenja, që shkatërron shkallë shkallë bukurinë dhe vlerën e një veshjeje; po kështu mëkati i lehtë e njollos dhe e zvogëlon bukurinë e shpirtit në sytë e Hyjit, duke pakësuar kështu efektin e hirit hyjnor. Ai që është i vakët dhe i pakujdesshëm ndaj mëkateve të lehta, së shpejti do të humbasë çdo frikë nga mëkati i vdekshëm. “Pra, vraponi,” thotë Shën Pali, “që të mund të fitoni” (1 Kor. 9:24). Le të shikojmë vetëm kryqin dhe historia e tij do të na tregojë pasojat e tmerrshme të mëkatit në përgjithësi, kur Vetë Zoti u detyrua, si të thuash, nga dashuria e Tij e madhe për ne, të kënaqte drejtësinë hyjnore dhe të na shpëtonte nga shkatërrimi i përjetshëm.
Krezmimi
Krezmimi është një sakrament që u jep Shpirtin e Shenjtë dhuratat e Tij të veçanta të pagëzuarve, për t’i bërë ata të krishterë të fortë dhe të përsosur. Në Pagëzim ne bëhemi tempuj të Shpirtit të Shenjtë, por në Krezmim ne marrim Shpirtin e Shenjtë dhe shtatë dhuratat e Tij. Ky sakrament që u jepet personave të pagëzuar, i forcon ata në shpalljen e besimit të krishterë. Edhe pse Zoti ynë u kishte dhënë Shpirtin e Shenjtë apostujve të Tij, ata mbetën të frikësuar deri në Ditën e Rrëshajëve, kur Shpirti i Shenjtë me tërësinë e hireve të Tij erdhi mbi ta. Pastaj ata u krezmuan, u forcuan në besimin e tyre dhe nuk patën frikë të përballeshin me armiqtë e Krishtit dhe të predikonin Ungjillin e Shëlbimit.
Fjalët e mëposhtme tregojnë Krezmimin e dhënë nga Apostujt: “Tani apostujt, që ishin në Jeruzalem, dëgjuan se Samaria kishte pranuar fjalën e Hyjit, dërguan tek ata Pjetrin dhe Gjonin; të cilët, kur erdhën, u lutën për ta. që të merrnin Shpirtin e Shenjtë, sepse Ai nuk kishte ardhur ende mbi asnjë prej tyre; por ata u pagëzuan vetëm në emër të Zotit Jezus. Pastaj vunë duart mbi ta dhe morën Shpirtin e Shenjtë.” Në Efes, Shën Pali administroi Krezmimin. “Dhe kur Pali vuri duart mbi ta, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta.” Shën Izidori i Pelusiumit, i cili vdiq në vitin 440, flet si vijon: “Filipi me të vërtetë i pagëzoi ata që ishin bërë dishepuj të Samarisë, por apostujt Pjetri dhe Gjoni, pasi erdhën tek ata nga Jeruzalemi, u dhanë atyre hirin e Shpirtit të Shenjtë.” Kështu ne shohim se si Apostujt krezmuan gjerësisht në kohën e tyre.