Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes - Sakramentet (Kungimi, Rrëfimi, Vajimi, Urdhri i Shenjtë, Kurora e Martesës)

Kungimi

Kungimi është trupi dhe gjaku i vërtetë i Jezu Krishtit nën pamjen e bukës dhe verës, i cili shërben si ushqim për shpirtrat tanë.  Një ditë pas shumëzimit të bukëve, Jezusi i foli turmës në sinagogën e Kafarnaumit në këtë mënyrë: “Buka që Unë do të jap është mishi Im, që Unë do ta jap për jetën e botës”. Judenjtë, atëherë, u grindën mes tyre, duke thënë; si mundet ky njeri të na japë për të ngrënë mishin e tij? Atëherë Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë po ju them; nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut dhe nuk pini gjakun e Tij, nuk do të keni jetë në ju. Ai që ha mishin Tim dhe pi gjakun Tim do ketë jetë të përjetshme dhe Unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi Im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku Im është me të vërtetë pije. Ai që ha mishin Tim dhe pi gjakun Tim, banon në Mua dhe Unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe Unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha Mua do të jetojë edhe ai për shkakun Tim.” (Gjn. 6:54-58). 

 

Në lidhje me themelimin e Eukaristisë së Shenjtë, ose Sakramentit të Shenjtë, na thuhet: “Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: ”Merrni, hani; ky është trupi Im”. Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ”Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku Im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.” (Mt. 26:26-28). 

 

Sipas Shën Lukës kemi: “Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ”Ky është trupi Im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin Tim”. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ”Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun Tim, që është derdhur për ju.” (Lk. 22:19-20). 

 

Apostujt bënë atë që u urdhëruan të bënin; shndërruan bukën dhe verën në trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit në përkujtim të Tij. Shën Pali shtron pyetjen e mëposhtme: “Kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?” 

 

Shën Injaci, i cili vdiq rreth vitit 107, shkruan kështu: “Dëshiroj bukën e Zotit, bukën Qiellore, bukën e jetës, që është mishi i Jezu Krishti, Birit të Hyjit, që ishte nga fara e Davidit dhe e Abrahamit: Dhe si pije dëshiroj gjakun e Tij, që është dashuri e pakorruptueshme dhe jetë e përjetshme.” 

 

Miqtë e mi, kur Jezu Krishti derdhi gjakun e Tij shëlbues mbi Kalvar, një epokë e re filloi në botë. Nata e gjatë e mëkatit, e injorancës dhe e dëshpërimit të thellë që ishte përhapur mbi faqen e dheut duke fshehur shkëlqimin e mëshirës dhe dashurisë së Zotit dhe duke errësuar çdo shpresë lumturie për njerëzit, i hapi rrugën dritës së mrekullueshme të së vërtetës, hirit dhe shpresës brohoritëse që u derdh në botë nga Dielli i Drejtësisë. Njerëzimi u shpëtua. Me vuajtje të pashoqe, me lutje e ndërmjetësime të pandërprera, Biri i Hyjit ribleu për ne të drejtat që njerëzit i kishin humbur dhe ne u bëmë përsëri bij të Hyjit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Qiellit. 

 

Atë që mëkati na kishte marrë, shëlbimi na rriktheu. Atë që mëkati e kishte shkatërruar, shëlbimi e ktheu në jetë. Ah, sa vepër e lavdishme kjo vepër shlyese! E vërtetë që ne u bëmë bij të Hyjit, por nëse Krishti ishte kthyer tek Ati i Tij, atëherë ne i bie të jemi mbetur jetimë në një vend të huaj. Por Ai kishte thënë se nuk do të na linte jetimë, se do të ishte me ne për gjatë gjithë ditëve. E si mund të bënte Ai më shumë për ne nga sa kishte bërë? Ai na kishte dhënë gjithçka, madje edhe Veten e kishte dhënë, por ende nuk e kishte bërë sakrificën të përjetshme. Këtë akt kurorëzues të dashurisë së Tij Ai e rezervoi për Eukaristinë e Shenjtë. Në atë mister të adhurueshëm Ai kishte përjetësuar bekimin që Ai e fitoi për ne ndërsa ishte në tokë. Aty kemi të njëjtën sakrificë që u ofrua në Kalvar, të njëjtën viktimë shëlbyese, të njëjtin Kryeprift, Jezu Krishtin, Zotin tonë. 

 

Vetëm dashuria e shtyu Shpëtimtarin tonë Hyjnor që të na linte këtë trashëgimi Qiellore. Pa të, ne, si të thuash, do të vuanim nga uria në trazirat e kësaj bote. Ajo i jep forcë jo vetëm shpirtit tonë, por edhe trupit, siç dëshmohet nga shumë shenjtër, të cilët duke dashur të bashkojnë vuajtjet e tyre me ato të Shëlbuesit tonë, jetuan vetëm në Kungimin e Shenjtë për vite të tëra. Përse të gjithë ata që dëshirojnë ta quajnë veten ndjekësit e Krishtit, nuk e marrin Atë në zemrat e tyre çdo ditë kur është e mundur? Priftërinjtë tanë na ftojnë plot zell, që të marrim pjesë në Sakramentin e Kungimit, dhe pse? Sepse i duan shpirtrat që u janë besuar dhe një ditë shpresojnë të mbretërojnë me këta shpirtra në Parajsë. Për më tepër, priftërinjtë e kuptojnë se çdo Kungim i Shenjtë i shton përjetësinë, lavdinë dhe lumturinë shpirtit. 

Rrëfimi

Nëpërmjet Sakramentit të Rrëfimit falen mëkatet e kryera pas Pagëzimit. I Krishteri i penduar i rrëfen sinqerisht mëkatet e tij një prifti të autorizuar, i cili i dëgjon mëkatet, jep një këshillë dhe, nëse e konsideron të denjë, jep faljen. Prifti shfajëson në vend të Zotit, si përfaqësuesi i Tij. Pushtetin për të shfajësuar nga mëkatet dhe të drejtën për të refuzuar faljen, Jezu Krishti ua dha Apostujve të Tij dhe pasardhësve të tyre të ligjshëm, sipas fjalëve vijuese: “Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi, u prezantua në mes tyre dhe u tha: ”Paqja me ju!”. Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe anën e Tij. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan. Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ”Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ”Merrni Shpirtin e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”.” (Gjn. 20:19-23). 

 

Fuqia e Apostujve për të falur dhe mbajtur mëkatet është ende e pranishme në Kishën Katolike. Shën Efraimi, i cili vdiq në vitin 373, shkruan kështu: “Dinjiteti i lartësuar i priftërisë është shumë larg të kuptuarit tonë dhe aftësisë së të shprehurit. Kini parasysh se falja e mëkateve nuk u jepet njerëzve të vdekshëm përveç se përmes priftërinjëve të nderuar.” 

 

O Shpirtra të krijuar për të mbushur pallatet qiellore të mbetura bosh që nga rënia e engjëjve të këqij, si duhet ta falënderojmë Hyjin për mirësinë e madhe që Biri i Tij Hyjnor, Jezu Krishti, na ka lënë në Sakramentin e Rrëfimit, me anë të së cilit ne mund të pastrohemi nga të gjitha mëkatet e kryera pas Pagëzimit. Le të tregojmë mirënjohjen tonë të thellë duke frekuentuar këtë banjë pastruese që e mban shpirtin tonë të këndshëm në sytë e Hyjit dhe na forcon kundër rikthimit në mëkat.

Vajimi

Me vajin e shenjtë të shenjtëruar nga Ipeshkvi, prifti vajos të krishterin e sëmurë në formë kryqi në pesë shqisat: sytë, veshët, hundën, gojën, duart dhe këmbët. Në rast nevoje urgjente, i krishteri që vdes thjesht vajoset në ballë. Shën Jakobi, një nga 12 apostujt, shkruan kështu: “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë priftërinjtë e Kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.” (Jak 5:14-15) 

 

Shën Cezari, Arqipeshkvi i Arles, i cili vdiq në vitin 543, shkruan kështu për këtë Sakrament: “Sa herë që ndodh ndonjë dobësi a sëmundje, le të marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit ai që është i sëmurë dhe pastaj trupin e tij ta vajosin dhe ajo që është shkruar të mund të përmbushet në të. Prandaj, vëllezër, ai që në sëmundje i drejtohet Kishës për strehim, do meritojë të marrë edhe shëndetin e trupit, edhe faljen e mëkateve.”

Urdhri i Shenjtë

“Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ”Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që Unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, Unë jam me ju gjatë gjithë ditëve, deri në fundin e botës. Amen” (Mt. 28:18-20). “Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ”Ky është trupi Im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin Tim” (Lk. 22:19). Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ”Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ”Merrni Shpirtin e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur” (Gjn. 20:22-23). 

 

Në Veprat e Apostujve vërejmë këtë në lidhje me Shugurimin: “Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Shtjefnin, njeri plot besim dhe Shpirtin Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia. I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.” (Veprat 6:5-6).

Kurora e Martesës

Për sa i përket martesës, Shën Pali shkruan: “Ky është një sakrament i madh; e unë flas sipas Krishtit dhe sipas Kishës” (Efes. 5:32). Shën Epifani, ipeshkvi i Salaminës, i cili vdiq në vitin 403, shkruan: “E njëjta Kishë e Shenjtë, Katolike dhe Apostolike ka detyrë që të mbrojë edhe ata që janë të lidhur në martesë. E ndershme, pra, është martesa, duke parë që vetë Zoti e themeloi atë.” 


Shën Agustini thotë: “Martesa zotëron një të mirë të trefishtë: Besnikërinë, Riprodhimin dhe Sakramentin. Për sa i përket besnikërisë, kërkohet që asnjëra nga palët mos të veprojë në kundërshtim me lidhjen martesore përsa i përket riprodhimit të pasardhësve, në mënyrë që të pranohen me dashuri, ushqehen me mirësi dhe edukohen me devotshmëri; dhe në lidhje me Sakramentin, që martesa të mos prishet dhe që asnjëra palë, nëse divorcohet, të mos bashkohet me një tjetër.”


“Në të gjitha kombet dhe njerëzit, përsosmëria e martesës është në lindjen e fëmijëve dhe në besnikërinë e dëlirësisë; gjithashtu bëhet krim ndaj shenjtërisë së Sakramentit edhe nga pala e divorcuar, nëse martohet me një tjetër, ndërsa partneri është akoma gjallë.” “Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Hyji e ka bashkuar!” (Mk 10:9) 


Ata që janë të mësuar mirë në Fenë Katolike e dinë se Hyji ka themeluar martesën dhe se ashtu si bashkimi është nga Hyji, ashtu edhe divorci është nga djalli. Dhe për këtë arsye Zoti, duke qenë i ftuar, shkoi në festën e dasmës (Në Kanë të Galilesë), që Ai të mund të konfirmojë dëlirësinë bashkëshortore dhe të na shfaqë Sakramentin e Martesës. 


Shën Maksimi, ipeshkvi i Torinos, i cili vdiq në vitin 465, shkruan kështu: “Biri i Hyjit shkoi në dasmë që të shenjtërojë me bekimin e pranisë së Tij atë që kishte themeluar shumë kohë më parë nëpërmjet fuqisë së Tij.” 


Kështu ne vërejmë se Jezu Krishti, Biri i përjetshëm i Hyjit, themeloi me të vërtetë Shtatë Sakramente dhe se të gjitha u morën dhe u administruan që në fillim dhe gjatë jetës së Apostujve, të cilët ishin dishepujt e parë të Krishtit.