Jeta e Shën Françeskut
Françesku lindi nga prindër fisnikë, në Savier, në dioqezën e Pampelonës. Pasi shkoi në Paris, atje u bë shok dhe dishepull i Shën Injacit. Nën një mjeshtër të tillë, ai arriti në një soditje aq të lartë të gjërave hyjnore, saqë nganjëherë ngrihej në ajër: gjë që i ndodhte herë pas here duke thënë Meshë para turmave të njerëzve. Ai i kishte merituar këto drita shpirtërore nga mortifikimet e rënda që i bënte trupit, sepse ai kurrë nuk konsumonte mish as verë, madje as bukë gruri, dhe hante vetëm ushqimin më të ashpër; ai abstenonte shpesh, për dy a tre ditë, nga çdo lloj ushqimi. Ai e fshikulloi veten aq shumë me kamxhikë, në të cilat ishin të lidhura copa hekuri, saqë shpesh mbulohej me gjak. Gjumi i tij, të cilin e bënte në tokë, ishte jashtëzakonisht i shkurtër.
Një rreptësi dhe shenjtëri e tillë e jetës e kishte përshtatur atë për punën e një Apostulli. Kur Gjoni III, Mbreti i Portugalisë, kërkoi nga Papa Pali III, që disa nga Shoqëria e sapothemeluar të dërgoheshin në Lindjen e Largët, ai Papë me këshillën e Shën Injacit zgjodhi Françeskun për një vepër kaq të rëndësishme, dhe i dha atij kompetencat e Nuncios Apostolik. Pasi mbërriti atje, u zbulua se ai ishte, papritmas, i talentuar hyjnisht me njohurinë e gjuhëve jashtëzakonisht të vështira dhe të ndryshme të disa vendeve. Madje, nganjëherë ndodhte që ndërsa ai u predikonte në një gjuhë njerëzve nga popuj të ndryshëm, secili e dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Ai udhëtoi nëpër krahina të panumërta, gjithmonë në këmbë dhe jo rrallë këmbëzbathur. Ai e solli Fenë në Japoni dhe në disa vende të tjera. Ai konvertoi në Krishtin qindra mijëra në Indi dhe pagëzoi disa princa dhe mbretër. E megjithatë, edhe pse po bënte gjëra kaq të mëdha për Zotin, ai ishte aq i përulur sa përherë i shkruante Shën Injacit, Gjeneralit të atëhershëm të Shoqërisë, i gjunjëzuar.
Zoti e bekoi këtë zell për përhapjen e Ungjillit me mrekulli të shumta dhe të jashtëzakonshme. Shenjti i ktheu shikimin një të verbëri. Me shenjën e kryqit ai e ndryshoi ujin e detit në të pijshëm, të bollshëm për një ekuipazh prej pesëqind burrash, të cilët po vdisnin nga etja. Ky ujë më pas u dërgua në disa vende dhe pasi i’u dha njerëzve të sëmurë, ata u shëruan menjëherë. Ai ringjalli disa të vdekur; njëri prej tyre ishte varrosur një ditë më parë, kështu që kufoma duhej të nxirrej nga varri; dy të tjerë po i çonin në varr, kur shenjti i mori për dore dhe, duke i ngritur nga arkivoli, ua ktheu prindërve. Duke qenë vazhdimisht i bekuar me frymën e profecisë, ai paratha shumë ngjarje të ardhshme ose të tilla që po ndodhnin në vende të largëta. Më në fund, plot merita dhe i rraskapitur nga mundi i tij, ai vdiq më 2 Dhjetor në Sancian, një ishull në brigjet e Kinës. Kufoma e tij u varros dy herë, por u gjet, pas disa muajsh, i paprishur: prej trupit të tij rrjedhte gjak dhe jepte një aromë të këndshme: kur u soll në Malacca, ai ndaloi menjëherë një murtajë shumë të furishme. Përfundimisht, pas shumë mrekullive të njëpasnjëshme dhe të jashtëzakonshme që ndodhnin kudo me ndërmjetësimin e këtij njeriu të Perëndisë, ai u shpall në mesin e shenjtërve nga Papa Gregori XV.