Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

E DIELA E TRETË E ARDHJES

Ti, qi bindshem hyjë hartove

Dritë e amshueme e besimtarve

Jezu Krisht, qi t’gjithë shelbove

Veshtrou kushtet nevojtarve

 

Qi tanë bota mos t’mbarote

Prej dredhisë s’anmikut t’ferrit

N’hov t’dashtnisë, qi kthellë t’pershkote

N’dritë na qite prej jetës s’territ

 

Tanë mbrapshtinë e botës mkatnore

Per t’shperblye, mbi kryq ban fijë

Ç’ka t’Nanës Virgjin muer n’shejtnore

Si e pat da n’t’paskajshmen dije

 

Ktij pushtetit t’tij hyjnuer

Emni Jezus sa t’kumbojë

Frota n’ferr e çdo qielluer

Tu u drillë, gjunin do t’lakojë

 

Lutje t’bajm ty, qi n’dritë t’fundit

Je Gjyqtar i tanë njerzimit

Me hir tand na i jep forcë mundit

Qi do t’bajm ballë çdo luftimit

 

Nderë e lavd, fuqi e lumni

T’kjoftë me Birin, Atë i amshuem

Me Shpirtë Shejt gjithmonë n’lidhni

Tash e n’shekuj t’pambaruem

Ashtu kjoftë

 
 

 

 

Ungjilli sipas Gjonit 1:19-28

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk refuzoi, dhe dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

“Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: ‘rrafshoni udhën e Zotit!’ siç tha Isaia profet.”

Disa prej të dërguarve ishin farisenj. Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

Gjoni u përgjigj: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen pas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.



“Në mes jush qëndron një që ju nuk e njihni”, u thotë Shën Gjon Pagëzuesi atyre që u dërguan nga Judenjtë. Në mënyrë që Zoti ynë të jetë afër nesh, ai mund edhe të ketë ardhur, e megjithatë nga disa të mos njihet! Ky Qengji i Perëndisë është ngushëllimi i Pararendësit të shenjtë (Shën Gjon Pagëzuesit): ai e konsideron një privilegj të veçantë të jetë veç Zëri, i cili u thërret njerëzve për të përgatitur rrugën e Shëlbuesit. 

 

Në këtë, Shën Gjoni është imazhi i Kishës dhe i të gjithë atyre që kërkojnë Jezusin. Shën Gjoni është plot gëzim sepse Shpëtimtari erdhi, por njerëzit përreth tij janë aq indiferentë sikur as të mos ishin duke pritur dhe as të mos donin një Shpëtimtar. 

 

Kjo është java e tretë e Ardhjes; a janë të gjitha zemrat të ngazëllyera nga lajmi i madh që i’u tha atyre nga Kisha, se Mesia është afër? Ata që nuk e duan atë si Shpëtimtarin e tyre, a i frikësohen atij si Gjykatësit të tyre? A po bëhen të drejta udhët e shtrembëra? A po ulen kodrat? A janë të krishterët të angazhuar seriozisht për të hequr nga zemra dashurinë për pasurinë dhe dashurinë për kënaqësitë sensuale? 

 

Nuk ka kohë për të humbur: Zoti është afër! Nëse këto rreshta do të bien në syrin e ndonjë prej atyre të krishterëve që janë në këtë gjendje të indiferencës mëkatare, ne do t’i bënim thirrje atyre të dalin nga letargjia e tyre dhe ta bëjnë veten të denjë për vizitën e Foshnjës hyjnore: një vizitë e tillë do t’u sjellë atyre ngushëllimim më të madh këtu, dhe do t’u japë atyre siguri për të ardhmen, kur Zoti ynë do të vijë për të gjykuar mbarë njerëzimin. 

 

Dërgoje hirin tënd, o Jezus, edhe më me bollëk në zemrat e tyre; dhe mos lejo që të thuhet për bijtë e Kishës, siç tha Shën Gjoni për Sinagogën: “Në mes jush qëndron një që ju nuk e njihni.” – Dom Gueranger