Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Luçias

Luçia, një Virgjëreshë e Sirakuzës, e shquar nga prejardhja dhe nga besimi i krishterë, të cilin e kishte shpallur që në foshnjëri, shkoi në Katania, me nënën e saj Eutikia, e cila vuante nga hemoragjia, për të nderuar trupin e të lumes Agata. Pasi u lut te varri, nëna e saj u shërua me ndërmjetësimin e Agatas. Më pas Luçia i kërkoi nënës së saj që ajo ta lejonte t’u jepte të varfërve të Krishtit pasurinë që ajo do trashëgonte. Prandaj, sapo ajo u kthye në Sirakuzë, ajo shiti gjithçka që i ishte dhënë dhe ua shpërndau paratë të varfërve.

 

Kur ai, të cilit prindërit e saj, kundër vullnetit të saj, i premtuan dorën e Luçias, mësoi se çfarë ajo kishte bërë, shkoi para prefektit dhe e akuzoi atë se ishte e krishterë. Prefekti e kërcënoi, por nuk mundi ta bënte atë të adhuronte idhujt; madje, sa më shumë ai përpiqej t’i tundte besimin e saj, aq më të ndezura ishin lavdërimet që ajo i bënte Zotit. 

 

– Prandaj, ai i tha asaj: Do ta shohim nëse do vazhdosh me fjalët tua, kur ti të ndjesh goditjet e xhelatëve të mi. 

– Kësaj Virgjëresha iu përgjigj: Fjalët nuk do të mungojnë kurrë për shërbëtorët e Perëndisë, sepse Krishti, Zoti ynë u ka thënë atyre: Kur do të silleni përpara mbretërve dhe guvernatorëve, mos mendoni se si dhe çfarë të flisni; sepse në atë orë do t’ju mësohet se çfarë të flisni; sepse nuk jeni ju që flisni, por Shpirti i Shenjtë që flet në ju.

– Prefekti e pyeti atë: A është Shpirti i Shenjtë në ty? 

– Ajo u përgjigj: Ata që jetojnë të dëlirë dhe të devotshëm, janë tempulli i Shpirtit të Shenjtë. 

– Ai tha: Unë do të urdhëroj që të të çojnë në një bordello, që ky Shpirt i Shenjtë të largohet prej teje. 

– Virgjëresha i tha: Dhuna me të cilën më kërcënon do të më fitonte një kurorë të dyfishtë dëlirësie. 

 

Pas kësaj, prefekti, duke qenë tepër i zemëruar, urdhëroi që Luçia të tërhiqej zvarrë në një vend ku mund të dhunohej dçlirësia e saj; por, me fuqinë e Perëndisë, ajo u fiksua aq fort në vendin ku qëndronte, saqë ishte e pamundur ta lëvizte kush. Prandaj prefekti urdhëroi ta mbulonin me katran, rrëshirë dhe vaj të vluar dhe t’i ndiznin një zjarr rreth saj. Por, duke parë që flaka nuk e lëndonte, e torturuan në shumë mënyra mizore duke i nxjerrur sytë dhe më në fund e therën me shpatë në qafë. E plagosur kështu, Lucy parashikoi paqen e Kishës, e cila do të vinte pas vdekjes së Dioklecianit dhe Maksimianit, dhe më pas vdiq.