Rrethprerja e Krishtit
Mbreti dhe Shpëtimtari ynë i porsalindur sot është tetë ditësh e po ushqehet nga Nëna e Tij. Sot Biri i njeriut do të rrethpritet si një sakrificë e parë e mishit të Tij të pafajshëm. Sot do t’i jepet gjithashtu një emër: emri do të jetë Jezus dhe do të thotë Shpëtimtar.
Rrethprerja ishte një sakrament i Ligjit të Vjetër dhe respektimi i parë ligjor i kërkuar nga Zoti i Plotfuqishëm për pasardhësit e Abrahamit. Ishte një sakrament i fillimit të shërbim ndaj Perëndisë dhe një premtim e angazhim për të besuar dhe vepruar ashtu siç Ai kishte zbuluar dhe drejtuar. Ligji i rrethprerjes vazhdoi deri në vdekjen e Krishtit, kur Shpëtimtari ynë, i Cili erdhi për t’i mësuar njerëzimit bindjen ndaj ligjit të Perëndisë, për të përmbushur të gjithë drejtësinë dhe për t’iu nënshtruar atij, u bë vetë ligji. Prandaj Ai u rrethpre, që të mund të shëlbonte ata që ishin nën ligj, duke i çliruar nga skllavëria e tij; dhe që ata të cilët ishin skllevër më parë t’u jepej liria dhe të bëheshin bij të Perëndisë në Pagëzim.
Por kjo ditë nuk i kushtohet vetëm rrethprerjes së Jezusit. Ka edhe një arsye tjetër që meriton dashurinë dhe përkushtimin e Besimtarëve në këtë Solemnitet të madh. Kjo arsye është Maria, Nëna e Zotit. Kisha kujton sot edhe Amësinë hyjnore, e cila iu dha një krijese të thjeshtë dhe e bëri atë bashkëpunëtore me Jezusin në veprën e madhe të shpëtimit të njeriut.
Sot ne fëmijët e Kishës Romake, duhet të derdhim gjithë dashurinë e zemrave tona për Nënën Virgjëreshë dhe të gëzohemi me të në lumturinë e jashtëzakonshme që ajo ndjeu kur lindi Zotin tonë. Gjatë Ardhjes ne e soditëm atë si shtatzënë me shpëtimtarin e botës; ne shpallëm lavdinë e asaj Arke të Besëlidhjes së Re, kraharori i dëlirë i së cilës ishte parajsa tokësore e zgjedhur nga Mbreti i Shekujve për banesën e Tij. Tani ajo e ka sjellë Atë, Zotin-Fëmijë; ajo e adhuron atë, i cili është Biri i saj. Ajo ka të drejtë ta quajë fëmijën e saj; dhe ai, i cili është Zot, e quan atë me të vërtetën më absolute, Nëna e Tij.