Oj Zanë t’kendojmë… t’vajtojmë, deshta me thanun,
Pse sod ditë kanget s’asht per mue e tyy.
Ç’gzim kjo ditë nee mundet me na dhanun
Kuer, qe, mas nji motmotit q’i u pelqye
Europes Shqyptarin zot n’shpie t’vet me e lanun,
E kuej, posë Hyut, m’ket jetë mos me i sherbye,
Shqyptari i daam prap me vedvedi gjindet,
E shka a maa zii, prejë vedit edhe s’bindet?!…
E ku kjo punë kish ndollë, posë se n’Shqypnië,
Qi i popull, s’parit dalun prejë robnimit
Per nji motmot te rriin aj n’anarkië
E t’bahet prralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’asht aj sod m’u vuu m’hullië,
Edhe m’u thanë anmiqve e t’tanë nierzimit:
“Un ktu sundoj; m’ket shkam mue m’vuni Zoti,
E ktej nuk los, paa e shuemun stina e moti!”
Ah! T’mjerët na, t’mjerët! E sod me i pecë të kuqe
E me ‘i orl duem qi Shqyptaria e mjera
T’dalë vedit n’dritë, si vedit çilë m’bubuqe
Nji drandofille e njomë, kuer kthen Prendvera…
Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe
E zhytnje a’ Drii, t’mos t’a shvillojë kurr era.
Flamri komtaar nuk kaa ç’ka ban nder nee,
Po kje qi dashtenië nuk kem’ p’r Atdhee!
E, drue, dashtnië per Atdhee nuk kaa Shqyptari.
Me gjasë, s’çaan kryet Shqyptari per koom t’vet,
As per njat gjuhë te amel qi i la i Pari,
As pse Shqypnija n’vedi u baa sod shtet,
Pse e shof qi veç atje ku xhixhllon ari
Paa frymë e tuej dihatun vrap aj nget.
Si Krishtin shiti Juda Iskariotë
Dru’ Atdheu nder nee po shitet p’r i zallotë…
A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,
Perse ktu vetë me fye nuk due kerkendin,
E pse a mirë fjalen n’zemer t’fryyt m’e nalun,
Por njaj, qi te liruem me e pasë don vedin,
A prejë se s’mundet vetë m’shkam t’naltë me dalun
A prejë se tjerve s’don me ja lshuemun rendin,
A thue aj s’asht Judë? Po, kamë e krye Iskariota!
E praa ksi nipash kaa dhe shum Kastriota…
E po p’r ata qi, zyre e ndeer harrue,
Qi, marre e turp kahë herë flakrue mas shpinet,
M’visaar t’Atdheut me t’huej shkojnë tuej tregtue
(Kush ndyet mas Frankut rrejtë, kush mas Sterlinet,
Kush pse Dinari tepre i asht lakmue)
E atdheen prejë t’huejsh me e qitun duem bashtinet
Thue edhe per ta do t’hiin kuej çuda
Kuer tham se nuk janë tjetër veç se Juda?…
Po, Juda janë, e gjinde janë trathtarë,
Porsi njata, qi n’mend prejë t’huejsh mahitun,
Varzat e djelmt, – e kara uzdajë Shqyptare -,
Me ndisië t’hueja n’shkollë i çojnë me i rritun,
Tuej lanë mas doret t’amlen gjuhë amtare,
Paa t’cillen komi s’mundet n’dritë me u qitun;
E me çakrria, t’metna shkret mas tregut,
E laan me u rrejtë nipniën e Skanderbegut.
O Skanderbeg Kastriota! O rrfe mizore!
Serbjani i mniëshem, po, ke votra pshtetun,
Nipave t’vet u kndon m’lahutë zatore,
Saa forcë e anmikut piit nen shpatë t’kaa metun:
Por nipat t’uu n’Shqypnië sod nder msojtore,
(Ku gjuha Shqype hiin si fmië i gjetun…)
As emni ndoshta, nuk e diin si t’quhet;
Pse tjerë fatoza aty me xanë u duhet.
Veç po; njat emen t’and t’bekuem t’madhnueshem,
Si t’huej, si nipa t’uu, dijmë me t’a qujtun
Kuer ndonji lash dobiet fort t’ngatrrueshem
Me te duem me shkatrrue, e kuer me vuejtun
Duem ndonji kundershtim, qi n’vend t’naltueshem
S’na len m’u kapë mas dishirit tonë te pruejtun:
Nen emen t’and, po, t’gjith at herë na strukna,
Kuer atdhetarë n’syy t’komit duem qi t’dukna.
Ah! Jo; kangë gzimit sod, mos zanë, nuk due!
Sod un due qi, kahë fjalët e mia t’dalin,
Si rrkajë vulkanit t’shkojnë tuej gurgullue:
T’shkojnë tuej therun, si thika qi theer djalin
E vetun, amel m’prehun t’nanës pushue:
T’bumullojnë, po, si rrfeja qi trandë malin;
Pse teper keq Shqypnia e ngratë kaa ngelun,
Teper paa ndeer se nami i sajë asht shkelun.
Oh vaj! Oh kob! Oh marre e turp per ne!
Sod sheklli marë prirë synin prej Shqyptarve,
Me paa si perkujdesna per Atdhee,
E si u dishmojmë me punë na kundershtarve,
Se jemi t’zott me u lidhë me besë e fee
Edhe vetë me sundue vendin e t’Parve:
E na, haruu e si polipa deti,
Veç hapim syyt me shkye ndoj send per vedi!…
Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pash Zotin!
Pa juu kurr s’mundet n’dritë me dalë Shqypnia:
A thue, praa, n’terr po e leni m’e shkue motin,’
Tash qi u dergoj t’bardhë fatin Perendia
Flamur me ngrefun n’vedi? E Gjergj Kastriotin
E t’Parët a thue kshtu do korisë nipnia,
Ke shoq me shoq ene s’kem’ raa na n’fie,
Ke vemë dobiën perpara ç’do Shqypnie?
Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret
Shqypnien e mjerë, – ket Atme t’uuj t’bekueme;
E cilla sod, pervujtë si vashë kunoret,
S’parit po hiin nder fise t’gjytetnueme.
A thue pse teper t’ngushta i kaa terthoret
M’e lanë me duesë prap nen kamë t’huej t’poshtnueme?
Maa e vogel se Rusia pat kenë Sparta,
Po nami i sajë a shkrue me shkrola t’arta.
Ah! Ktu, Shqyptarë, këtu; e m’vorr t’Kastriotit
Per rreth t’Flamurit t’onë t’gjith t’bahna i’ vllaa,
Edhe t’apim shoshojt besen e Zotit
Se per Atdhee na kem’ m’u orrvatë paa daa,
Tuj shkrii per te te gjitha ditt e motit:
Se para t’gjith n’vorr na kem’ me u kjaa,
Se e laam Shqypniën m’e shkelë prap themra e huej
Posë Zotit n’qiell, s’do t’i sherbejmë ma kujë
P. Gjergj Fishta O.F.M