Uncategorized

4 Maj – Shën Monika

Jeta e Shën Monikës

Monika, nëna e Shën Agustinit, lindi në vitin 332. Ajo ishte një vajzë e pafajësisë dhe devotshmërisë së veçantë. Monika u martua me Patritin, një pagan dhe ajo iu përkushtua menjëherë konvertimit të tij, duke u lutur gjithmonë për të dhe duke fituar nderimin dhe dashurinë e tij me shenjtërinë e jetës së saj dhe me durimin e saj të dashur. Ajo u shpërblye duke e parë të pagëzuar një vit para vdekjes së tij. Kur djali i saj Agustini humbi në besim dhe sjellje, lutjet dhe lotët e saj ishin të pandërprera. Një herë ajo iu përgjërua një ipeshkvi të ditur që ai të fliste me djalin e saj dhe ta sillte atë në një mendje më të mirë, por ai nuk pranoi. Megjithatë, duke qenë dëshmitar i lutjeve dhe lotëve të saj, ai e urdhëroi të kishte guxim; sepse fëmija i atyre lotëve nuk mund të humbasë. Duke shkuar në Itali, Agustini mundi për një kohë të çlirohej nga këmbënguljet e nënës së tij; por ai nuk mundi t’i shpëtonte lutjeve të saj, të cilat e ndoqën atë si pravani i Zotit. Ajo e ndoqi atë në Itali dhe atje, nga konvertimi i tij i mrekullueshëm, pikëllimi i saj u shndërrua në gëzim. Në Ostia, gjatë udhëtimit të tyre për në shtëpi, ndërsa Agustini dhe nëna e tij, të ulur buzë një dritareje, duke biseduar për jetën e të bekuarit, ajo u kthye nga ai dhe i tha: “Bir, nuk ka asgjë për mua tani në këtë jetë. Çfarë do të bëj tani e pse jam këtu, nuk e di. E vetmja arsye që më nxiti të dëshiroja të qëndroja pak më gjatë në këtë jetë ishte që të mund të të shihja ty si një të krishterë Katolik para se të vdisja. Zoti më dhuroi shumë më shumë duke parë se si refuzove kënaqësitë e kësaj bote që të bëhesh shërbëtori i Tij.” Disa ditë më pas ajo vdiq në vitin 387.

 

Meditim – Është e pamundur të vendosësh ndonjë kufi për atë që mund të bëjë lutja ngulmuese. Ajo i jep njeriut një pjesë nga Fuqinë Hyjnore. Shpirti i Shën Agustinit qëndronte i lidhur në zinxhirët e herezisë dhe të papastërtisë, që të dyja ishin bërë prej një zakoni të gjatë të pandreqshëm. Ata u thyen nga lutjet e nënës së tij.

Atë Gjergj Fishta: Të Kryqzuemit!

Atë Gjergj Fishta: Të Kryqzuemit!

In fide vivo Filii Dei, qui dilexit
Me et tradidit semetipsum pro me. (Ad Gal. II. 20)


Qiella âsht muzë e shkimë âsht dielli;
Dridhet toka tue gjimue;
Rruzullimit trandet shtielli;
Gjâmen t’dekunt kanë vezhgue;
Shkambîjt tmera po i pershkon.


Tisi i tempullit âsht shkye,
Rrebtë ka shekllin trandë thellimi.
A natyra âsht tu’ u shperthye
E rroposet rruzullimi,
Ase Zoti diku pson.


Jo; pson Zoti! T’Izraelit
Bijt e prujtun m’mal t’Golgotit
Mbi nji t’ashper drû zabelit
Kryqzue paskanë t’Bir’n e Zotit:
Krejt e paskanë lá me gjak.


N’atë shemtim, n’atë mizorí
Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;
E, kah sheh atë kob të zi,
Idhshem mnija xên e i pshtiellet,
Edhe mshirës i vên ai cak.


Rrebtë mbi shekull vrâ ka ftyren,
Edhe kapë rrufén njifillit
Me turshî gjithmbarë natyren.
Struken Engjutj hijes s’qiellit,
Heshtë natyra n’mjerim t’vet.


Hikni popuj, hikni fise!
Hikni, po, jashta ktij sheklli;
Pse mbi t’eprat, m’t’ poshtrat vise,
Prej ksi kobi, prej ksi mreklli,
Mnin e Zotit gjâ s’e pret.


Hikni vrap, po; kah kujtoni
Se nji Zot, Krijuesi i Empirit,
Qi i fuqís e i s’ Drejtës âsht froni,
S’do t’perligjë gjakun e t’Birit
Qi po derdhni me poshtnim?


Mnershem qiella, qe, u kercnohet;
Per nen kambë don me u hikë bota;
Rruzullimi âsht kah zhgatrrohet;
Janë kah shuhen stinë e mota:
S’bân, jo, Zoti kaq shemtim!


Veç nji fjalë i Biri t’flase,
Veç nji ankim t’a bâjë mbi jue,
Se krijimi do t’humbase
Se edhe jeta ka me u shue:
Lesker shekllit kund nuk jet.


E qe i Biri pre’ atij drûni
M’ t’ cillin ju mberthye e kini,
M’ gozhda shtatin Aj e xûni,
Edhe kryet kah qiella ngrini,
Dishka Atit per ju i flet:


“Fali, o Át, deh! Njerzt Ti fali!
Pse shka bâjn nuk jane tue dijtun:”
Oh! Pse tash s’po trandet mali…
Pse xên dielli prap me shndritun…
Persè u kthiell si moskurraj….


Shka? a vetë dashka i Biri i Zotit
Mnín e vetë me zbutun,
Ke, m’ drû pezull, m’shkam t’Golgotit,
Per anmiq âsht tuj u lutun
Qi m’u a falë mâ t’randin faj?…


O dashtnija e Fjalës s’mishnueme
Po a edhe m’kryq per bij’ t’ Adamit
Fjalët Ti i paske t’ambeltueme…
E me i pruejtë Ti dashke damit…
E me i pá me lumnì plot?


Ah! ktû. Popuj, ktû ju fise!
Ktû, po, ktheni m’shesh t’Kalvarit!
S’kênka droje, jo, n’kto vise,
Kû vete Flija n’sŷ t’ Gjyqtarit
Gjaksve t’vet u dalka zot.


S’ paska kênë, jô i vrashtë Rromaku,
Qi per dekë gjikoi t’Amshuemin;
E Judeut as etja e gjakut
Njitë s’e paska m’kryq te Lumin:
Dashtunija Atê e kryqzoi!


Dashtunija me flakë t’ veta,
Po, ato gozhda i paska prehun,
M’t’cillat pezull randon Jeta,
Si Davidi ‘i herë pat shprehun,
Nder vegime ka’ i skjyrtoi.


M’ faj t’ Adamit dheu perlye
Velej Hy’it n’shatorre t’kthiella:
Por, të randë atë faj me shkmbye,
Gjak nji Zoti lypte qiella,
Gjak t’paçmuem, shka nierzt nuk kan.


N’dashtuní ndezun per né,
Qe atë herë Fjala e Perendís
Bâhet nieri e zdrypë mbi dhé;
E p’r atë faj të rrokullís
Flîje vehten Ajo e bân.


Sod njai gjak, qi u lyp prej t’Lumit
Çmim perdlimit per rod t’nirit,
Gurrë prej varrvet rrjedhë t’amshuemit
Gurrë mishriret edhe hirit
Per gjith t’bijt e mnís s’ Tynzot.


Sod, po, âsht shue mnija hyjnore,
Edhe deka âsht mujtë e mnershme;
Preja ferrit dalë ka dore;
Shtypun krejet hidra e hershme
Kján trathín e vet me lot.


Qiella e toka, bashkë pajtue,
Nji besë t’ambel vên dashtnije;
Qiella e toka pse vllaznue
Janë n’per Gjak t’s’ hynueshmes Flije,
Qi per tokë mbi Kryq rekton.


Kohë e ré, po nisë m’u endun
Rruzullimit prej kso bote,
Si profeta e pat permendun:
Kohë mishriret, qeti-plote,
Kû dashtnija veç mbretnon.


Shue, prá, kjoftë kushdo bir deket
Ngroftë në zêmer mni mbas sodi;
Dielli dheut, pse kahdo rreket
Sot t’tânë popujt janë nji rodi:
Gjaku i t’ Lumit i vllaznoi.


O Ti Gjaku i Flîs s’hyjnueshme,
Fise e popuj qi vllaznove,
Deh! ‘dhe n’dritë të jetës s’lumnueshme,
Me çmim t’And qi na fitove,
Fise e popuj Ti bashkoi.

25 Mars – Lajmërimi i Lindjes së Krishtit

Lajmërimi i Lindjes së Krishtit

Mishërimi i Krishtit

 
 

 

 

Kjo festë e madhe e merr emrin nga lajmi i gëzueshëm që engjëlli Gabriel ja solli Virgjërës së bekuar, në lidhje me mishërimin e Birit të Hyjit. E përkujton lajmërimin më të rëndësishëm që është njohur ndonjëherë: një lajmërim i dërguar nga Mbreti i Mbretërve, kryer nga një nga princat kryesorë të oborrit të Tij qiellor; drejtuar, jo të mëdhenjve të kësaj toke, por një virgjëreshe të varfër, të panjohur, e cila, duke qenë e pajisur me pastërtinë më engjëllore të shpirtit dhe trupit, duke qenë krejtësisht e përulur dhe e përkushtuar ndaj Hyjit, ishte në sytë e Tij më e madhe se më i fuqishmi monark në këtë botë.


Kur Biri i Hyjit u bë njeri, Ai mund të kishte marrë mbi vete natyrën tonë pa bashkëpunimin e ndonjë krijese; por Ai ishte i kënaqur që lindi nga një grua. Në zgjedhjen e asaj që Ai e ngriti në dinjitetin më të lartë, Ai zgjodhi atë që, me pasurinë e hirit dhe virtyteve të Tij, ishte nga të gjithë të tjerët më e shenjta dhe më e përsosura. Qëllimi i këtij lajmërimi të kryeengjëllit ishte t’i japë botës një Shëlbyes, një viktimë për shlyerjen e mëkateve, një model për të drejtët, një djalë për këtë Virgjëreshë, duke mbetur ende e virgjër, dhe një natyrë të re për Birin e Hyjit, natyrën e njeriut, i aftë për të vuajtur dhimbje dhe tortura për të kënaqur drejtësinë e Hyjit për fajet tona.


Kur engjëlli iu shfaq Marisë dhe iu drejtua asaj, Virgjëra e Bekuar u shqetësua: jo nga pamja e engjëllit, thotë Shën Ambrozi, sepse vizionet qiellore dhe komunikimet me shpirtrat e bekuar ishin të njohura për atë; por ajo që e alarmoi atë, thote ai, ishte shfaqja e engjëllit në formë njerëzore, në formën e një të riu. Ajo që mund t’i shtonte frikën me këtë rast ishte adresimi i tij me fjalë lavdëruese. Maria, e kujdesshme nga modestia e saj, është e hutuar nga ajo shprehje, dhe i frikësohet më të voglës lajkë mashtruese. Lavdërime kaq të larta e bëjnë atë të jetë e kujdesshme se si të përgjigjet, derisa në heshtje ajo e ka shqyrtuar më plotësisht këtë çështje: “Ajo cuditej në mendjen e saj,” thotë Shën Luka, “se çfarë përshëndetjeje duhet të jetë kjo.” Ah, sa shumë shpirtra të pafajshëm janë korruptuar për shkak të mungesës së përdorimit të masave të ngjashme!


Engjulli, për ta qetësuar atë, thotë: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir përpara Hyjit”. Më pas ai e informon atë se ajo do të ngjizet dhe do të lindë një Bir emri i të cilit do të jetë Jezus, I cili do të jetë i madh, Biri i Shumë të Lartit, dhe do zotëronte fronin e Davidit, paraardhësit të saj të shquar. Maria, nga një shqetësim i drejtë për të ditur se si ajo mund të përmbushë vullnetin e Hyjit pa thyer betimin e saj të virgjërisë, pyet, “Si do të ndodh kjo?” As nuk e jep pëlqimin e saj derisa lajmëtari qiellor e njofton atë se ajo do të jetë një vepër e Shpirtit të Shenjtë, e cila, duke e ngjizur, nuk do të dëmtojë aspak pastërtinë e saj virgjërore.


Duke iu nënshtruar, prandaj, vullnetit të Zotit, pa asnjë pyetje të mëtejshme, ajo shpreh miratimin e saj me këto fjalë modeste, por të fuqishme: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë sipas fjalës Sate” Çfarë besimi dhe sigurie shpreh përgjigja e saj! Sa përulësi e thellë dhe bindje e përsosur!


Meditim – Cfarë dashurie të zjarrtë duhet të konceptojmë nga pastërtia dhe përulësia, prej shembullit të Virgjërës Mari në këtë mister! Shpirti i Shenjtë ftohet nga pastërtia të banojë në shpirtra, por përzihet nga pisllëku i vesit të kundërt. Përulësia është themeli i një jete shpirtërore. Me të, Maria u përgatit për hiret e jashtëzakonshme dhe të gjitha virtytet me të cilat u pasurua, dhe për dinjitetin e shquar të Nënës së Zotit.

Një Krezhme e Përshpirtshme

Një Krezhme e Përshpirtshme

Ta dimë se kjo kohë kaq e shenjtë sa Krezhmet është e pasur plot mistere. Kisha e ka bërë Krezhmën një kohë kujtimi dhe pendese si përgatitje për festën më të madhe. Prandaj, Kisha ka vendosur në të gjithçka që mund të rrisë besimin e bijve të saj dhe t’iu japë zemër për të kaluar piunët e mundimshme të shlyerjes së mëkateve të tyre.

Fragmentet pasardhëse janë të marra nga vepra “Viti Liturgjik” – Abat Gueranger O.S.B.

Misteri i Krezhmës

Pse dyzet ditë? 

Le të kujtojmë dyzet ditët dhe dyzet netët e përmbytjes (Num. xiv. 33) të dërguar nga Hyji prej zemërimit të Tij kur Ai u pendua që kishte krijuar njeriun dhe shkatërroi të gjithë racën njerëzore me përjashtim të një familjeje. Kujtoni se si populli hebre, si ndëshkim për mosmirënjohjen e tij, endej dyzet vjet në shkretëtirë përpara se të lejoheshin të hynin në tokën e premtuar. (Zan. vii. 12) Dëgjoni Hyjin që urdhëron Ezekielin të shtrihet dyzet ditë në krah të djathtë, si një shëmbëlltyrë e rrethimit që do të sillte
shkatërrimin e Jerusalemit. (Ezekiel iv. 6)… Biri i Hyjit, pasi u bë Njeri për shpëtimin tonë dhe duke dashur t’i nënshtrohej dhimbjes së agjërimit, zgjodhi numrin e dyzet ditëve.

Sakrificat që e gjithë Kisha ofron për mëkatet

Kështu, tradita e Krezhmeve është sjellë para nesh me gjithçka që mund t’i bëjë përshtypje mendjes me karakterin e saj solemn dhe me fuqinë e saj për të zbutur Zotin dhe për të pastruar shpirtrat tanë. Shikoni përtej botës së vogël që na rrethon dhe shikoni se si i gjithë universi i Krishterë është, pikërisht në këtë kohë, duke i ofruar dyzet ditë pendesë, si një sakrificë shlyerje, Hyjit të fyer. Le të shpresojmë që, si në rastin e Ninivitëve, Ai do ta pranojë me mëshirë sakrificën e këtij viti të pendimit tonë dhe do të na falë mëkatet tona.

Krezhma: Një luftë e krishterë

Numri i ditëve tona të Krezhmeve është një mister i shenjtë. Le të mësojmë tani nga liturgjia se në çfarë këndvështrimi i sheh Kisha fëmijët e saj gjatë këtyre dyzet ditëve. Kisha i konsideron fëmijët e saj si një ushtri e pamasë, që lufton ditë e natë kundër armiqve shpirtërorë. Kujtojmë se si, të Mërkurën e Përhime, ajo e quan Krezhmën një luftë të Krishterë. Që ne të fitojmë atë risinë e jetës që do të na bëjë të denjë të këndojmë edhe një herë Aleluja-n tonë, duhet të mposhtim tre armiqtë tanë: djallin, mishin dhe botën.

Beteja e trefishtë

Ne jemi bashkëluftëtarë me Jezusin tonë, sepse edhe Ai e pësoi tundimin e trefishtë që i sugjerohet Atij personalisht nga Djalli. Prandaj, ne duhet të veshim armaturën tonë dhe të ruhemi pandërprerë. Ndonëse është me rëndësi të madhe që zemrat tona të jenë plot zell dhe të guximshme, Kisha na jep një këngë lufte të krijuar nga vetë Hyji, që mund të ndezë edhe frikacakët me shpresën e fitores dhe besimin në ndihmën e Zotit. Kjo këngë është Psalmi 90. Kisha e fut të gjithë psalmin në Meshën e të Dielës së parë të Krezhmeve dhe çdo ditë prezanton disa nga vargjet e tij në Oficjen Feriale.

Psalmi 90

Këtu, Kisha na thotë të mbështetemi në mbrojtjen me të cilën na mbulon Ati ynë qiellor, si me një mburojë. Ajo na thotë të shpresojmë nën strehën e krahëve të Tij dhe të kemi besim tek Ai, sepse Ai do të na çlirojë nga kurthi i gjahtarit që na rrëmbeu lirinë e shenjtë si fëmijë të Hyjit. Ajo na thotë të mbështetemi në ndihmën e Engjëjve të shenjtë, të cilët janë vëllezërit tanë, të cilët Zoti ynë i ka urdhëruar të na ruajnë në të gjitha rrugët tona dhe të cilët, kur Jezusi e lejoi Djallin ta tundonte, ishin dëshmitarët adhurues të luftimit të Tij dhe iu afruan Atij pas fitores, duke i ofruar shërbimin dhe nderimin e tyre. Le t’i mbajmë mirë këto ndjenja me të cilat Kisha don të na frymëzojë. Gjatë këtij luftimi gjashtëjavor, le ta përsërisim shpesh këtë tekst të admirueshëm që përshkruan plotësisht mënyren se si ushtarët e Krishtit duhet të jenë dhe të ndihen në këtë periudhë lufte të madhe shpirtërore.

 

 

Tre tema të meditimit

Kisha na vë përpara tre tema të mëdha, të cilat gradualisht na i shpalos gjatë kësaj periudhe deri në solemnitetin e madh të Pashkëve. Le t’i kushtojmë të gjithë vëmendjen këtyre mësimeve prekëse dhe udhëzuese.

1 – Sinagoga kundër Zotit tonë

Së pari, kemi të bëjmë me komplotin e judenjve kundër Shëlbuesit tonë. Do të hasim para nesh gjithë historinë e këtij komploti, që nga fillimi deri në përfundimin e tij të Premten e Madhe, kur ne do të shohim Birin e Hyjit pezull në drurin e Kryqit. Punimet famëkeqe të Sinagogës do të na sillen para nesh aq rregullisht sa do të jemi në gjendje ta ndjekim komplotin në të gjitha hollësitë e tij. Ne do të ndezemi nga dashuria për Viktimën Madhështore, butësia, mençuria dhe dinjiteti i së cilës na flasin për një Hyji. Drama Hyjnore që filloi në shpellën e Betlehemit do të mbyllet në Kalvar. Ne mund ta ndihmojmë Atë duke medituar fragmentet e Ungjillit që na lexohen nga Kisha gjatë këtyre ditëve të Krezhmeve.

2 – Pagëzimi: Një rilindje

E dyta nga temat që na ofrohen për mësimin tonë, kërkon që ne të kujtojmë se si festa e Pashkëve do të jetë dita e rilindjes për katekumenët tanë dhe se si, në epokat e hershme të Kishës, Krezhmet ishin përgatitja e menjëhershme dhe solemne që iu bëhej kandidatëve për Pagëzim. Liturgjia e Shenjtë e kësaj periudhe ruan shumë nga udhëzimet që Kisha u jepte katekumenëve. Ndërsa dëgjojmë mësimet e saj madhështore si nga Besëlidhja e Vjetër ashtu edhe nga Besëlidhja e Re, të cilat Kisha i përmbushi, ne
duhet të mendojmë me mirënjohje se si nuk na u kërkua të prisnim vite përpara se të bëheshim fëmijë të Hyjit, por u pranuam me mëshirë në Pagëzim që foshnje. Ne do të drejtohemi që të lutemi për ata katekumenë të rinj, të cilët, pikërisht këtë vit, në vende të largëta, po marrin udhëzime nga misionarët e tyre të zellshëm dhe po presin me padurim, siç bënë kandidatët e Kishës primitive, atë festë madhështore të fitores mbi vdekjen të Shpëtimtarit tonë. Pastaj, ata do të pastrohen nga ujërat e Pagëzimit dhe do të marrin nga kontakti një qenie të re – rilindjen.

3 – Pendimi për mëkatet

Së treti, duhet të kujtojmë se si, më parë, të penduarit publikë (të cilët ishin ndarë të Mërkuren e Perhime nga asambleja e besimtarëve) ishin objekt i merakut amnor të Kishës gjatë dyzet ditëve të Krezhmës dhe pranoheshin në pajtim të Enjten e Madhe, nëse pendimi i tyre meritonte këtë falje publike. Kemi udhëzime të admirueshme, të cilat fillimisht u krijuan për këta të penduar dhe që liturgjia, besnike si kurrë më parë ndaj traditave të tilla, i ruan për hir tonë. Teksa lexojmë këto fragmente madhështor të Shkrimit Shenjtë, natyrshëm do të mendojmë për mëkatet tona dhe në çfarë kushtesh të lehta na falen. Nëse do të kishim jetuar në kohë të tjera, mund të ishim vënë në sprovën e një pendimi publik dhe të ashpër. Kjo do të na entuziazmojë, sepse do të kujtojmë se, çfarëdo ndryshimi që Kisha mund të bëjë në disiplinën e saj, drejtësia e Hyjit tonë është gjithmonë e njëjtë. Ne do të gjejmë në gjithë këtë një motiv shtesë për t’i ofruar sakrificën e një zemre të penduar Madhërisë së Tij Hyjnore dhe për të kaluar pendesat tona me atë etje të gëzueshme, që e sjell gjithmonë me vete bindja për pendesën tonë shumë më të
ashpër.



Praktika gjatë Krezhmës

Gjatë këtyre dyzet ditëve të pendesës, që duken kaq të gjata për natyrën tonë të dobët, ne nuk do të na hiqet shoqëria e Jezusit tonë.

Shembulli i Zotit tonë

Është Emanueli ynë, i njëjti Jezus, por jo nën formën e vogëlushit të ëmbël që ne e adhuruam në djepin e Tij. Ai është rritur në moshën e plotë të njeriut dhe mban pamjen e një mëkatari. Ja ku është – duke u dridhur dhe duke u përulur përpara Madhërisë sovrane të Atit të Tij, të cilin ne e kemi fyer dhe të cilit Ai tani i ofron Veten si Viktimë pajtimi. Ai na do me dashurinë e një vëllai dhe, duke parë se koha e pendesës ka filluar, Ai vjen të na gëzojë me praninë e Tij dhe me vetë shembullin e Tij. Do të kalojmë dyzet ditë në agjërim dhe mëgjille (1). Jezusi, i cili është vetë pafajësia, kalon të njëjtin pendesë. Jezusi tërhiqet nga shoqëria dhe shikimi i njerëzve. Ne synojmë të jemi më të rregullt në shërbesat hyjnore dhe të lutemi me më shumë zjarrmi se herët e tjera. Jezusi është ndërmjetësi jonë dhe i gjithë I yni. Ne do të mendojmë për mëkatet tona të kaluara dhe do t’i qajmë me pikëllim të hidhur. Jezusi vuan për mëkatet tona dhe qan për ta në heshtjen e shkretëtirës, sikurse t’i kishte bërë ai vetë ata mëkate.

Dyzet ditë në shkretëtirë Sapo Ai mori Pagëzimin nga duart e Shën Gjon Pagëzuesit, Shpirti i Shenjtë e çoi Atë në shkretëtirë. Kishte ardhur koha për t’i treguar veten botës. Ai filloi duke na dhënë një mësim me rëndësi të jashtëzakonshëm. Ai lë Pararendësin e Shenjtë dhe turmën admiruese që kishte parë Shpirtin Hyjnor të zbriste mbi Të dhe që kishte dëgjuar zërin e Atit të Tij që e shpallte Atë si Birin e dashur të Hyjit. Ai i lë ata dhe shkon në shkretëtirë. Jo shumë larg Jordanit gjendet një mal i thyer, i cili pas shumë shekuj ka marrë emrin Quarantana (Dyzet-ditë) dhe nga ku shihet fusha pjellore e Jerikos, Jordani dhe Deti i vdekur. Biri i Hyjit hyri në një shpellë në atë mal të egër. Të vetmit shoqërues të tij ishin kafshët memece që kanë zgjedhur të njëjtën shpellë për strehimin e tyre. Ai nuk kishte ushqim për të zbutur dhimbjet e urisë; shkëmbi shterpë nuk mund t’i japte të pijë; dhe shtrati i tij i vetëm ishte guri. Aty, Ai kaloi dyzet ditë. Pas dyzet ditëve, Ai i lejoi Engjëjt ta vizitonin dhe t’i sjellin ushqim. Ai i duroi të gjitha lodhjet dhe vështirësitë e Tij, kështu që ne, kur na kërkohet të ecim në rrugën e ngushtë të pendesës sonë të Krezhmeve, të kemi shembullin e Tij për të heshtur justifikimet, sofizmat dhe neveritë e dashurisë për veten dhe krenarinë. Mësimi këtu është shumë i qartë dhe mund të kuptohet lehtësisht.

Do të vdisni!

Pra ligji i bërjes pendesë për mëkatin tregohet qartë dhe ne nuk mund të nxjerrim si shfajsim padijeninë. Prandaj, këtë mësim duhet ta pranojmë dhe ta ushtrojmë me ndershmëri. Jezusi largohet nga shkretëtira ku kaloi dyzet ditët dhe u drejtohet të gjithë njerëzve me këto fjalë: “Bëni pendesë, sepse Mbreteria Qiellore është afër”. (Mt. 4, 17). Le të mos e ngurtësojmë zemrën ndaj kësaj ftese, që të mos përmbushet te ne kërcënimi i tmerrshëm që përmban ato fjalë të tjera të Shëlbuesit tonë: “Nëse nuk bëni pendesë, do të vdisni”. (Lk. 13, 3)

Çfarë është Pendesa?

Pendesa konsiston në keqardhjen e shpirtit dhe mortifikimin e trupit; të dyja janë thelbësore për pendesën. Shpirti e dëshiron mëkatin dhe trupi shpesh bashkëpunon në bërjen e tij. Për më tepër, njeriu përbëhet nga shpirti dhe trupi. Të dy, pra, duhet t’i bëjnë homazh Krijuesit të tyre. Trupi duhet të ndajë me shpirtin ose kënaqësitë e Parajsës ose mundimet e ferrit. Prandaj, nuk mund të ketë asnjë jetë të plotë të Krishterë apo ndonjë pendesë serioze ku trupi nuk merr pjesë, në të dyja, me shpirtin.

Pika më e rëndësishme

Megjithatë, është shpirti ai që e realizon pendesën. Ungjilli e mëson këtë me shembujt që na sjell nga djali plangprishës, nga Maria Magdalena, nga Zakeu dhe nga Shën Pjetri. Shpirti, pra, duhet të jetë i vendosur të heqë dorë nga çdo mëkat. Shpirti duhet të brengoset me zemër për ata që ka kryer. Shpirti duhet ta urrejë mëkatin. Shpirti duhet të shmangë rastet e mëkatit. Shkrimet e Shenjta kanë një fjalë për këtë prirje të brendshme, e cila është adoptuar nga bota e Krishterë dhe që shpreh në mënyrë të admirueshme gjendjen e shpirtit që është larguar nga mëkatet e saj. Fjala është konvertim. Prandaj, i Krishteri duhet, gjatë Krezhmeve, të mësojë ta nxisë veten në këtë pendim të zemrës dhe ta shikojë atë si themelin thelbësor të të gjitha ushtrimeve të tij të Krezhmeve.

Mortifikimi i Trupit

Sidoqoftë, ai duhet të kujtojë se kjo pendesë shpirtërore do të ishte thjesht iluzion, në qoftë se nuk ushtron mortifikimin e trupit. Le të mësoje shembullin e dhënë nga Shpëtimtari i tij, i cili pikëllohet, me të vërtetë, dhe qan për mëkatet tona; por Ai gjithashtu i shlyen ato me vuajtjet e Tij trupore. Prandaj, Kisha, interpretuesja e pagabueshme e vullnetit të Mësuesit të Saj Hyjnor, na thotë se pendimi i zemrës sonë nuk do të pranohet nga Zoti, nëse nuk shoqërohet me agjërim dhe mëgjille.

Lutja

Mbajtja e guximshme e urdhërimit të Kishës për agjërimin dhe mëgjille gjatë Krezhmeve duhet të shoqërohet me ato dy vepra të tjera jashtëzakonisht të mira, për të cilat Hyji na nxit kaq shpesh në Shkrim: lutja dhe lëmosha. Ashtu siç nën termin “agjërim” Kisha përfshin të gjitha llojet e mortifikimit, nën fjalën “lutje” ajo përfshin të gjitha ato ushtrime të devotshmërisë me të cilat shpirti komunikon me Hyjin. Këto ushtrime përfshijnë pjesëmarrjen e shpeshtë në shërbesat e Kishës, Meshën e përditshme, leximin e librave dhe informacioneve shpirtërore, meditimin mbi të vërtetat e amshuara dhe Mundimet e Krishtit, dëgjimin e predikimeve dhe, mbi të gjitha, marrjen e Sakramentit të Pendesës e të Eukaristisë së Shenjtë.

Veprat e Mëshirës

Lëmosha përfshin të gjitha veprat e mëshirës ndaj të afërmit tonë dhe këshillohet njëzëri nga Mësuesit e Shenjtë të Kishës si plotësimi i nevojshëm i agjërimit dhe lutjes gjatë Krezhmeve. Hyji e ka bërë ligj : dashuria e treguar ndaj të afërmit tonë, me qëllimin për të kënaqur Krijuesin tonë, do të shpërblehet sikur t’i ishte bërë Atij. Sa mirë na sjell kjo realitetin dhe shenjtërinë e lidhjes që Ai dëshiron të shohë midis të gjithë njerëzve! Në të vërtetë, është një kërkesë e tillë saqë Ati ynë qiellor nuk e pranon dashurinë e asnjë zemre që refuzon të tregojë mëshirë. Nga ana tjetër, Ai e pranon si autentike dhe sikur ti ishte bëre Atij bamirësinë e çdo të Krishteri, i cili, me një vepër mëshire të treguar ndaj të afërmit, njeh me të vërtetë dhe nderon atë bashkim madhështor që i bën të gjithë njerëzit të jenë një familje me Hyjin Atin e saj. Prandaj, lëmoshët, të bëra me këtë qëllim, nuk janë thjesht vepra mirësie njerëzore, por ato lartësohen në dinjitetin e veprave të religjionit, me Hyjin si synimin e tyre të drejtpërdrejtë, dhe kanë fuqinë për të zbutur drejtësinë e Tij hyjnore.

Lëmoshë

Le të kujtojmë këshillën e dhënë nga Kryeengjëlli Rafael Tobitit. Tek sa po largohej nga kjo familje e shenjtë për tu kthyer në parajsë tha: “Lutja është e mirë me agjërimin dhe lëmoshë, më shumë se sa të grumbullosh thesare ari. Sepse lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkatet ata që bëjnë lëmoshë të gjejnë mëshirë dhe jetë të përjetshme.” (Tobia 12, 8-9) Po aq i fortë është rekomandimi i dhënë këtij virtyti nga Libri i Predikimeve: “Uji shuan një zjarr flakërues dhe lëmosha u reziston mëkateve”. (Sir. 3, 33) Dhe përsëri, “Thur lëmoshë në zemrën e të varfërve dhe ajo do të të gjejë ndihmë kundër çdo të keqeje”. (Sir. 29, 15) I Krishteri duhet t’i mbajë këto premtime ngushëlluese gjithmonë në mendje, por veçanërisht gjatë periudhës së Krezhmës. I pasuri duhet t’i tregojë të varfërve, viti i të cilëve është gjithmonë agjërim, se ka një kohë kur edhe ka privime të vetë-imponuara. Mbajtja e Krezhmeve prodhon natyrshëm një kursim – le t’i jepet ai kursim Lazarit. Asgjë, sigurisht, nuk mund të jetë më e kundërt me frymën e kësaj periudhe të Shenjtë, sesa mbajtja e një tryeze buke me aq pasuri dhe delikatesë sa në
periudha të tjera të vitit, në të cilat Hyji na lejon që ti shijojshmë komoditetet sipas mundësive që na I ka dhënë. Por sa e Krishterë është që, gjatë këtyre ditëve pendese dhe bamirësie, jeta e njeriut të varfër të bëhet më e rehatshme, në përpjesëtim me atë që të pasurit ndajnë në vështirësitë dhe privimet e vëllezërve të tyre që vuajnë në mbarë botën! Të varfërit dhe të pasurit do të paraqiteshin më pas, me gjithë bukurinë e dashurisë vëllazërore mes tyre, në banketin Hyjnor të festës së Pashkëve, në të cilën Jezusi ynë i ringjallur do të na ftojë pas këtyre dyzet ditëve.

Shkëputje nga bota

Ekziston një mjet me anë të të cilit ne mund t’i sigurojmë vetes edhe më shumë hire të mëdha gjatë Krezhmeve : tërheqja dhe shkëputja nga bota. Jeta jonë e zakonshme, siç është gjatë pjesës tjetër të vitit, duhet të bëhet e gjitha në nder të periudhës së shenjtë të pendesës. Përndryshe, vula shëruese e prodhuar në ne nga ceremonia e shenjtë e të Mërkurës së Perhime do të shuhet së shpejti. Prandaj, i Krishteri duhet t’i ndalojë vetes, gjatë Krezhmës, të gjitha argëtimet, zbavitjet dhe festat e kota të botës ku jeton.

In Dominico Agro

Mbi udhëzimin e fesë

Papa Klementi XIII – 1761

 

 

Drejtuar Vëllezërve të Nderuar, Patriarkëve, Primatëve, Kryeipeshkvinjëve dhe ipeshkvinjëve. Vëllezër të nderuar, përshëndetje dhe bekim apostolik.

    1. Në fushën e Zotit, për kujdesin e së cilës Pravani Hyjnor na vendosi si mbikëqyrës, nuk ka asgjë që kërkon më shumë kujdes vigjilent dhe punë të pandërprerë për kultivimin e saj sesa ruajtja e farës së mirë të mësimit katolik që apostujt e morën nga Jezu Krishti dhe e dorëzuan tek Ne. Nëse në dembelizëm kjo neglizhohet, armiku i racës njerëzore do të mbjellë barërat e këqija ndërsa punëtorët flenë. Më pas do të gjenden barërat e këqija të cilat duhet te digjen dhe jo drithërat e mirë qe duhen ruajtur në hambarë. Prandaj, Shën Pali na inkurajon fuqishëm që të mbrojmë besimin që shenjtorët na dhanë.[1] Ai i tha Timoteut të ruante amanetin e shenjtë[2] sepse po vinin kohë të rrezikshme[3] kur njerëz të këqij dhe mashtrues do të ekzistonin në Kishën e Hyjit.[4] Tunduesit tinëzarë do ta përdornin punën e tyre për t’u përpjekur të infektonin mendjet e pakujdesshme me gabime që janë armiqësore ndaj së vërtetës ungjillore.

 

    1. Ndodh shpesh që në Kishën e Zotit dalin disa ide të padenja, të cilat, megjithëse kundërshtojnë drejtpërdrejt njëra-tjetrën, komplotojnë së bashku për të dobësuar pastërtinë e besimit Katolik në ndonjë farë mënyre. Është shumë e vështirë të balancojmë me kujdes fjalën tonë midis të dy armiqve në atë mënyrë që të duket se nuk ia kthejmë shpinën asnjërit prej tyre, por i shmangemi dhe i dënojmë të dy armiqtë e Krishtit në mënyrë të barabartë. Ndërkohë çështja është e tillë që gabimi djallëzor, kur i ka ngjyrosur me mjeshtëri gënjeshtrat e tij, vishet lehtësisht në ngjashmërinë e së vërtetës, ndërsa shtesat ose ndryshimet shumë të shkurtra prishin kuptimin e shprehjeve; dhe rrëfimi, i cili zakonisht bën shpëtim, ndonjëherë, me një ndryshim të vogël, na afron drejt vdekjes.

 

    1. Besimtarët – veçanërisht ata që janë të thjeshtë ose të pamësuar – duhet të mbahen larg shtigjeve të rrezikshme dhe të ngushta në të cilat vështirë se mund të shkelin pa u lëkundur. Delet nuk duhet të çohen të kullosin nëpër vende të pa gjurmueshme. As nuk duhet t’u propozohen ide të pazakonta – madje as ato të studiuesve katolikë. Përkundrazi, duhet të komunikohen vetëm ato ide të cilat definitivisht shënohen si të vërteta Katolike nga universaliteti, lashtësia dhe harmonia e tyre. Përveç kësaj, meqenëse turma nuk mund të ngjitet në malin[5] mbi të cilin zbriti lavdia e Zotit, dhe nëse kushdo që i kalon kufirin e të vëzhguarit do të vdesë, mësuesit e popullit duhet të vendosin kufij rreth tyre, në mënyrë që asnjë fjalë të mos devijojë përtej asaj që është e nevojshme ose e dobishme për shëlbim. Besimtarët duhet t’i binden këshillës apostolike që të mos dinë më shumë se ç’duhet, por të dinë me moderim.[6]

 

    1. Papët e kuptuan qartë këtë. Ata i kushtuan të gjitha përpjekjet e tyre jo vetëm për të prerë me shpatën e mallkimit sythat helmues të gabimit në rritje, por edhe për të zhdukur disa ide në zhvillim, të cilat ose mund ta pengonin popullin e krishterë në mënyrë të panevojshme të jepte një fryt më të madh besimi ose mund të dëmtonin mendjet e besimtarëve nga afërsia e tyre me gabimin. Kështu, Këshilli i Trentit dënoi ato herezi që u përpoqën në atë kohë të zbehnin dritën e Kishës dhe që e çuan të vërtetën katolike në një dritë më të qartë sikur reja e gabimeve të ishte zhdukur. Meqenëse paraardhësit tanë e kuptuan se ajo mbledhje e shenjtë e Kishës universale ishte aq e matur në gjykim dhe aq e moderuar sa nuk dënonte idetë që autoritete të studiuesve të kishës mbështesnin, ata donin te përgatisnin një punë tjetër me marrëveshjen e atij këshilli të shenjtë që do të mbulonte të gjithë udhëzimin që besimtarët duhet ta dinë dhe që do të ishte shumë larg çdo gabimi. Ata e shtypën dhe e shpërndanë këtë libër nën titullin Katekizmi Romak. Ka aspekte të veprimit të tyre që meritojnë lëvdata të veçanta. Në të ata përpiluan mësimin që është i përbashkët për të gjithë Kishën dhe që është larg çdo rrezik gabimi dhe propozuan t’u transmetohej hapur besimtarëve me fjalë shumë kuptimplotë sipas urdhërit të Krishtit Zot që u tha apostujve për të shpallur në dritë atë që Ai kishte thënë në errësirë dhe për të shpallur nga çatitë atë që dëgjuan në fshehtësi.[7] Ata i janë bindur nuses së Tij, Kishës, fjalët e së cilës janë: “Më trego ku shtrihesh në mesditë.” [8] Sepse aty ku nuk është mesditë dhe drita nuk është aq e ndritshme sa e vërteta të mund të njihet qartë, gabimi mund të ngatërrohet lehtësisht me të vërtetën për shkak të paraqitjes së saj si e vërtetë dhe mund të dallohet nga e vërteta vetëm me vështirësi në errësirë. Ata e dinin se kishin qenë dhe do të kishte përsëri njerëz që i tërheqin ata që kërkojnë ushqim me premtimin e kullotave më të bollshme të mençurisë dhe diturisë dhe se shumë njerëz do të vinin në ato kullota sepse ujërat e vjedhura janë më të ëmbla dhe buka e fshehur më e shijshme.[9 ] Prandaj, në rast se Kisha do të mashtrohet dhe do të endet pas tufave të udhëtarëve, të cilët janë vetë endacakë, të pavendosur dhe pa siguri të së vërtetës, të cilët janë gjithmonë duke mësuar[10] por nuk arrijnë kurrë në njohjen e së vërtetës, ata propozuan që vetëm ajo që është e nevojshme dhe shumë e dobishme për shëlbim të shpjegohet thjeshtë dhe qartë në Katekizmin Romak dhe t’u komunikohet besimtarëve.

 

    1. Por, edhe pse ky libër, i kompozuar me punë dhe mundim të jashtëzakonshëm, u miratua botërisht dhe u mirëprit me lavdërimet më të larta, në atë kohë, dashuria për gjëra të reja pothuajse e hoqi atë nga duart e priftërinjve duke frymëzuar prodhimin e gjithnjë e më shumë katekizmave që nuk mund të krahasohen në asnjë mënyrë me Katekizmin Romak. Kështu lindën dy të këqija. Marrëveshja për një metodë të perbashkët të mësimdhënies pothuajse u shkatërrua dhe besimtarët e dobët u skandalizuan kur zbuluan se ata nuk ishin më të bashkuar nga e njëjta gjuhë dhe të njëjtat tema. Nga ana tjetër, grindjet lindën nga mënyra të ndryshme të transmetimit të së vërtetës Katolike dhe përçarja e shpirtit dhe mosmarrëveshjet e mëdha nga rivaliteti ku njëri deklaronte se ishte ndjekës i Apollonit, tjetri i Kefës dhe tjetri i Palit. Ne mendojmë se asgjë nuk mund të jetë më fatale për lavdinë e Zotit sesa hidhësia e atyre mosmarrëveshjeve. Asgjë nuk mund të eliminojë në mënyre kaq shkatërruese frytet që besimtarët duhet të marrin nga disiplina e Krishterë. Kështu, për të hequr të keqen e dyfishtë nga Kisha, duhet t’i kthehemi asaj metode nga e cila disa, duke u ngritur në Kishë si më të mençur, i kanë larguar besimtarët me pa turpësi dhe pa maturi për ca kohë. Ne mendojmë se Katekizmi Romak duhet t’u ofrohet sërish priftërinjve, në mënyrë që ashtu si dikur forcoi besimin Katolik dhe forcoi mendjet e besimtarëve në mësimet e kishës që është shtylla e së vërtetës,[12] edhe tani t’i largojë ata nga idetë e reja të cilat as antikiteti dhe as marrëveshja e përgjjithshme nuk i rekomandon. Për ta bërë librin më të aksesueshëm dhe për të korrigjuar gabimet që kanë ndodhur gjatë prodhimit, ne kemi siguruar që kopja e botuar nga paraardhësi ynë Shën Piu V në përputhje me dekretin e Këshillit të Trentit të ribotohet në Romë me kujdesin e plotë. Përkthimi i tij në gjuhën e përditshme që është bërë dhe botuar me porosi të po këtij Shën Piu do të ribotohet shumë shpejt me porosinë Tonë dhe më në fund do të publikohet.

 

    1. Pra, meqenëse kujdesi dhe zelli ynë po ofrojnë një ndihmë shumë të përshtatshme për të hequr mashtrimet e ideve të liga në këtë kohë shumë të vështirë për Kishën dhe për të përhapur e vendosur mësime të vërteta dhe të shëndosha, është detyra juaj të kujdeseni që besimtarët ta pranojnë atë. Meqenëse papët donin që ky libër t’u vihej para pastorëve pothuajse si normë e besimit Katolik dhe disiplinës së Krishterë, në mënyrë që nje mirëkuptim të mund të ekzistonte edhe në metodën e transmetimit të doktrinës, tani ne jua rekomandojmë ju fuqimisht, vëllezër të nderuar. Ne ju inkurajojmë fuqimisht të urdhëroni që çdokush që ka shpirtërat nën kujdesin e tij duhet ta përdorë atë për të udhëzuar besimtarët në të vërtetën Katolike, në mënyrë që të ruhet marrëveshja e një të mësuarit të përbashkët, bamirësia dhe harmonia e shpirtrave, sepse është detyra juaj të kujdeseni ndaj kthjelltësisë së të gjithëve. Së fundi, është detyrë e ipeshkvit të sigurojë që askush të mos e thyejë lidhjen e harmonisë dhe të krijojë përçarje duke vepruar me krenari për interesat e tij.

 

    1. Nëse ata që duhet t’ua paraqesin dhe t’ua shpjegojnë besimtarëve këto libra janë mësues të papërshtatshëm, ata do të rezultojnë të padobishëm ose pothuajse të padobishëm. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjidhni për detyrën e komunikimit të mësimeve të Krishtera tek besimtarët, jo vetëm njerëz të pajisur me njohuri teologjike, por më e rëndësishmja, njerëz që shfaqin përulësi, entuziazëm për shenjtërimin e shpirtrave dhe bamirësi. Tërësia e praktikës së Krishterë nuk konsiston në bollëkun e fjalëve, as në aftësinë e debatit, as në kërkimin e lëvdatave dhe lavdisë, por në përulësinë e vërtetë dhe vullnetare. Ka nga ata prej të cilëve rrjedh një mençuri e madhe, por e cila i ndan nga shoqëria e njerëzve të tjerë. Sa më shumë dinë, aq më shumë nuk e pëlqejnë virtytin e harmonisë. Vetë Urtësia i paralajmëron me fjalën e Zotit: “Kini kripë në veten tuaj dhe jetoni në paqe me njëri-tjetrin”.[13] Prandaj është e nevojshme të kemi kripën e mençurisë për të ruajtur dashurinë për të afërmin dhe për të kompensuar dobësitë. Nëse ata kthehen nga zelli për mençuri dhe nga shqetësimi për të afërmin e tyre në mosmarrëveshje, ata kanë kripë pa paqe – jo një dhuratë virtyti, por një shkak për dënim. Sa më shumë dinë, aq më keq dështojnë. Apostulli Jakob i dënon me këto fjalë: “Nëse jeni xhelozë dhe keni grindje në zemrat tuaja, mos u mburrni dhe mos u bëni gënjeshtarë kundër së vërtetës. Kjo urtësi nuk zbriti nga lart. Përkundrazi, është tokësore, kafshërore dhe djallëzore. Paqëndrueshmëria dhe çdo vepër e keqe shoqërojnë xhelozinë dhe grindjen. Mençuria që vjen nga lart është para së gjithash e pastër. Pastaj është paqësore, modeste, bindëse, në respekt me gjërat e mira, plot mëshirë dhe fryte të mira. Nuk gjykon dhe është pa rivalitet.”[14]

 

  1. Prandaj, ndërkohë që i lutemi Zotit me shpirt të përvuajtur dhe me zemër të përulur që të na dhurojë kënaqësinë dhe mëshirën e Tij në përpjekjet tona për të parandaluar mosmarrëveshjet që shqetësojnë besimtarët dhe për të siguruar që në shpirtbutësine dhe lidhjen e paqes, të gjithë ta njohim dhe lavdërojmë Hyjin e vetëm dhe Zotin tonë Jezu Krishtin, ju përshëndesim me një puthje të shenjtë dhe me dashuri ju japim bekimin tonë apostolik të gjithë juve dhe të gjithë besimtarëve të kishave tuaja.

Dhënë në Castel Gandolfo në ditën e 14 qershorit 1761, viti i tretë i Papatit Tonë.

SHËNIME

1. Heb 3
2. 2 Tim 1.14
3. Ibid. 3.1
4. Ibid. 3.13
5. Eks 19.12
6. Rom 12.3
7. Mt 10.27
8. Ct 1.7
9. Prv 9.17
10. 2 Tim 3.7
11. Zan 11.1
12. 1 Tim 3.15
13. Mk 9.49
14. Jak 4